
“Muzicka Fabrika” është një emision në bashkëprodhim me RTMV-në, për të cilin televizioni publik paguan 232.000 euro nga paratë e shtetit kompanisë “Radosnica DOO” për realizimin e një gare muzikore për fëmijë.
Por, përveç financimit nga paratë publik, kompania paralelisht promovon një numër të madh kompanish brenda emisionit, gjë që bie ndesh me kontratën që vetë e ka nënshkruar.
Kontrata për bashkëprodhim me shërbimin publik, në të cilën ka pasur qasje PortalX dhe e cila mban firmën e ish-drejtorit, Marjan Cvetkovski, tregon shkelje të nenit 8.

“Në kuadër të projektit televiziv që është objekt i kësaj kontrate, ‘Radosnica DOO Shkup’ nuk ka të drejtë të kryejë reklamim apo prezantim komercial të firmave, kompanive dhe produkteve, as marketing të fshehtë, dhe kjo është e ndaluar. RTMV ka të drejtën ekskluzive që të gjithë hapësirën reklamuese në kuadër të transmetimit të përmbajtjes programore të përfshirë në këtë kontratë t’ua shesë subjekteve të interesuara”, thuhet në kontratë.
Megjithatë, në emision reklamimi i fshehtë është i pranishëm në masë të madhe. Teksa fëmijët performojnë në skenë, nga të gjitha anët shfaqen produkte ushqimore, si dhe logo të bankave dhe kompanive të sigurimeve.
PortalX iu drejtua edhe Agjencisë për Shërbime Mediatike Audio dhe Audiovizuale, ku sipas ligjit të tyre ndalohet qartë reklamimi i produkteve në emisione për fëmijë.
“Nga ASHMAA thonë se do të bëjnë një analizë të detajuar të përmbajtjeve të përmendura dhe pas përfundimit të saj do të njoftojnë për konstatimet”, thuhet në përgjigje.
Sipas rregulloreve, ASHMAA ndalon reklamimin e fshehtë në programet për fëmijë dhe thekson se nuk lejohet reklamim në emisione të tilla që zgjasin më pak se 30 minuta. Fakti që brendet shfaqen vetëm në titrat përfundimtarë, si ‘mbështetës’, dhe nuk janë të shënuara qartë si reklama, lë të kuptohet për reklamim të fshehtë.
Nga kompania “Radosnica DOO” thonë se të gjitha obligimet nga kontrata janë respektuar plotësisht në materialet e dorëzuara në RTMV.

“Deri më sot nuk kemi marrë asnjë vërejtje, kërkesë apo sinjalizim për parregullsi nga Sektori i Marketingut i RTMV-së. Në të kundërtën, do të kishim reaguar menjëherë për të korrigjuar çdo mangësi të mundshme. Episodet që publikohen në YouTube dhe përmbajtjet për rrjetet sociale janë të përpunuara dhe të përshtatura veçmas nga ekipi ynë dhe nuk përfaqësojnë version identik me formatin televiziv të transmetuar në RTMV”, thotë Zoran Iliev nga kompania.
Por, a është vërtet kështu?
Gjatë ditës së djeshme, kur morëm përgjigjen nga kompania, në MRT u transmetua edhe episodi i ri i “Muzicka Fabrika”. Në pjesën më të madhe të emisionit, “mbështetësit” dhe “miqtë e projektit”, siç i quan vetë kompania në titrat përfundimtarë dhe në faqen zyrtare, ishin të mjegulluar (blur), gjë që bie në kundërshtim me pretendimin se kontrata është respektuar plotësisht. Kompanitë që deri dje ishin qartë të dukshme, papritur u bënë të padukshme.

Pyetjet që mbetën pa përgjigje nga “Radosnica DOO” janë: a realizojnë të ardhura shtesë nga reklamimi jashtë kontratës me RTMV përmes këtyre kompanive si sponsorë, a janë të deklaruara në RTMV dhe a kanë kontrata reklamuese me televizionin, si dhe pse në emision nuk ka asnjë shënim të qartë për reklamim? Po ashtu, çfarë do të ndodhë me kontratën, për të cilën fillimisht thanë se është respektuar, e më pas u korrigjuan në praktikë?
PortalX mëson se në RTMV ka njohuri për mosrespektimin e kontratës, por mbetet e paqartë pse deri më tani nuk është reaguar.
Për këtë rast iu drejtuam edhe Dragan Nikolovskit, kryeredaktor i MRT1, duke pasur parasysh se në kontratë thuhet se Këshilli Programor ka obligim të bëjë vlerësimin e cilësisë së përmbajtjes dhe segmentit audiovizual të emisioneve. Nëse një vlerësim i tillë është bërë, nuk morëm përgjigje.
Kontrata mes “Radosnica” dhe RTMV-së është nënshkruar më 14 janar. Sipas të dhënave nga Regjistri Qendror, kompania është themeluar vetëm dy muaj e gjysmë më herët, më 30 tetor 2025.
Autor: Petar Klinçarski



