Portali X
Storje

Shoqata e regjistruar në të njëjtën adresë me një stallë lopësh në Shishovë ka marrë para për shërbime sociale në Likovë

4 min 89
Shoqata e regjistruar në të njëjtën adresë me një stallë lopësh në Shishovë ka marrë para për shërbime sociale në Likovë

Adresa e një shtëpie familjare, pa dijeninë e familjes, është shfrytëzuar për regjistrimin e dy subjekteve juridike – njëri prej tyre një shoqatë që prej dy vitesh merr para nga institucionet shtetërore për një projekt, dyert e të cilit vazhdojnë të jenë të mbyllura.

Autore: Bojana Spasovska

Në të njëjtën adresë në fshatin Shishovë të Shkupit janë regjistruar dy persona juridikë – “Shoqata për forcimin e kujdesit në komunitet ICCM Shkup”, kryetar i së cilës është Ali Rexhepi, me pesë bashkëthemelues të tjerë, dhe kompania “Rexhepi Farm”, e regjistruar në emër të Ajrulla Rexhepit.

Meqenëse në këtë adresë figurojnë dy subjekte me veprimtari të ndryshme, PortaliX shkoi në Shishovë për të verifikuar lokacionin, por aty nuk kishte as zyrë të shoqatës, e aq më pak një stallë lopësh.

Në terren gjetëm një shtëpi familjare. Gjatë bisedës, anëtarët e familjes na thanë se për herë të parë dëgjonin që në adresën e shtëpisë së tyre ishte regjistruar ndonjë shoqatë apo kompani, në këtë rast një fermë.

“Asnjë viç nuk e kemi, e lëre më stallë lopësh”, na u përgjigj i zoti i shtëpisë kur e pyetëm nëse ishte i vetëdijshëm se në adresën e tij, ndër të tjera, ishte regjistruar edhe një stallë lopësh.

Lidhur me Ali Rexhepin dhe Ajrulla Rexhepin, të cilët në Regjistrin Qendror figurojnë si themelues të dy subjekteve, ai na tha se ata jetojnë pak më lart se shtëpia e tyre.

Paqartësitë rreth adresës na shtynë të vazhdojmë hulumtimin për shoqatën, në llogarinë e së cilës janë transferuar 1,4 milionë denarë vetëm nga Ministria e Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë.

Paratë janë ndarë në dy raste – një pjesë në vitin 2025, vitin kur është themeluar shoqata, dhe pjesa tjetër në vitin 2026, në kuadër të projektit për zhvillimin e shërbimeve sociale, të financuar nga Banka Botërore.

Në thirrjen e tretë publike, të shpallur në shkurt të vitit 2025, komunat kanë qenë bartëse të aplikimeve, ndërsa shoqatat dhe organizatat e tjera joqeveritare kanë mundur të marrin pjesë si bashkëaplikuese dhe ofruese potenciale të shërbimeve sociale, informojnë nga Ministria.

Nga atje thonë se përzgjedhja e aplikimeve është bërë nga një komision i emëruar nga ministri, në bazë të kritereve të përcaktuara, ndër të cilat kanë qenë edhe investimet nga ana e komunës dhe ofruesit të shërbimeve.

Por, shoqata “ICCM Shkup” ishte regjistruar në Regjistrin Qendror vetëm një muaj para shpalljes së thirrjes publike.

Sipas Ministrisë, shoqata, në partneritet me Komunën e Likovës, duhej të hapte një qendër ditore për të moshuarit, me qëllim promovimin e plakjes aktive.

Marrëveshja ndërmjet Komunës dhe shoqatës ishte nënshkruar në qershor të vitit të kaluar. Një muaj më vonë, në llogarinë e shoqatës transferohen mjetet e para financiare, të dedikuara për përshtatjen e hapësirës dhe furnizimin me pajisje.

Përveç mjeteve nga Ministria, kontribut financiar ka dhënë edhe Komuna e Likovës, me rreth 300 mijë denarë gjatë këtij viti. Por këtu përfshihet edhe Komuna e Sarajit, e cila i ka ndarë shoqatës një shumë simbolike prej 30 mijë denarësh – për çfarë qëllimi, nuk dihet.

Nga Komuna e Likovës na thanë se paratë nga buxheti i tyre ishin dedikuar për realizimin e të njëjtit projekt.

Shkuam edhe në Likovë për të parë se çfarë ishte bërë me paratë nga tri pagesat, në vlerë të përgjithshme prej rreth 1,8 milionë denarësh, të dedikuara për të njëjtin qëllim.

As punonjësit e Komunës dhe as banorët e fshatit Mateç nuk kishin informacion se kjo qendër ishte hapur. Megjithatë, qendra ekziston, por me dry në derë. Pas derës së mbyllur gjetëm një hapësirë relativisht të vogël, me disa tavolina dhe karrige të mbuluara me pluhur, një tavolinë pune, një garniturë, si dhe shah e pikado për rekreacion.

Kontaktuam edhe kryetarin e shoqatës, Ali Rexhepin. Fillimisht ai tha se adresa në Shishovë të Shkupit ishte e saktë, por më vonë na telefonoi për të na thënë se selia e shoqatës ndodhej në Likovë. Për dallim nga ajo që pamë në terren, ai pretendonte se zyrat e tyre ishin të hapura.

Rexhepi, shoqata e të cilit kishte marrë para për pajisjen e hapësirës edhe në vitin 2025, na tregoi se hapësira ishte rinovuar dhe pajisur rreth dy deri në tre muaj më parë, por se qendra ende nuk kishte filluar me punë, pasi po pritej licenca.

Më shumë informacione duhej të merrnim drejtpërdrejt nga ai, por ndonëse ishte dakorduar, takimi me të nuk u realizua.

Se ende po pritet licenca, e konfirmuan edhe nga Ministria, prej nga na thanë se kërkesa e shoqatës po shqyrtohet nga komisioni kompetent. Pa licencë, qendra ditore nuk mund të fillojë me punë.

Por, nëse marrëveshja është nënshkruar në qershor të vitit të kaluar, lind pyetja se përse hapësira po pajiset vetëm tani, ndërsa kërkesa për licencë është dorëzuar pas më shumë se një viti.

Për më tepër, ironike është edhe shuma e mjeteve të ndara për pajisjen e një hapësire me tavolina të vjetra, karrige dhe ndonjë kolltuk.




Ndaje