LokalXLajme

Siljanovska: 4 femicide në 2026, institucionet bëhen bashkëfajtore kur heshtin

Katër femicide vetëm në dy muajt e parë të vitit 2026 dhe mijëra raste të raportuara të dhunës në familje gjatë vitit të kaluar. Në Kuvend, në prag të 8 Marsit, presidentja Gordana Siljanovska-Davkova tha se dështimi institucional në parandalim po kushton jetë, ndërsa reagimi i vonuar e kthen shtetin në bashkëpërgjegjës.

“Institucionet mund të jenë shpëtimtarë aktivë, por nëse nuk reagojnë me kohë, bëhen pasivisht bashkëfajtore. Në 2026 tashmë kemi katër raste femicidi – kjo është alarm.”, deklaroi presidentja.

Presidentja kujtoi se gjatë vitit 2025 janë regjistruar 4.745 denoncime për dhunë në familje dhe gjashtë vrasje. Sipas saj, ky realitet e zbeh simbolikën e 8 Marsit, sepse shoqëria po përballet çdo vit me viktima të reja dhe statistika gjithnjë e më të rënda.

“Nuk mjafton ta shkruajmë femicidin në Kodin Penal, nëse në praktikë veprat rikualifikohen ose jepen dënime me kusht në vend të sanksioneve më të rënda. Ligjet s’kanë kuptim pa zbatim.”, deklaroi Siljanovska.

Ajo theksoi se me ratifikimin e Konventës së Stambollit shteti ka obligim për sistem funksional mbrojtjeje, ndërsa kërkoi që 8 Marsi të mos mbetet vetëm ditë me lule, por ditë reflektimi dhe veprimi – që siguria dhe dinjiteti i grave të garantohet realisht.

Related Articles

Back to top button