LokalXLajme

Rutte: Nuk do të lejojmë ndikim të palëve të treta apo destabilizim në Ballkanin Perëndimor

Sekretari i Përgjithshëm i NATO, Mark Rutte, përcolli mesazh të prerë se Aleanca nuk do të lejojë destabilizim të Ballkanit Perëndimor dhe as ndikim të palëve të treta në këtë rajon strategjik.

Në deklaratën e tij, Rutte theksoi se NATO do të qëndrojë vigjilente dhe e përkushtuar ndaj çdo vendi anëtar.

“Duhet të punojmë së bashku për sigurinë e përbashkët. Maqedonia e Veriut luan rol kyç në ruajtjen e stabilitetit në Ballkanin Perëndimor, që është një rajon me rëndësi strategjike për aleatët e NATO-s. Përkushtimi ynë për rajonin është i palëkundur. Dhe nuk do të lejojmë që të krijohet një vakum sigurie. NATO është e përkushtuar në mbrojtjen e çdo pëllëmbe territori të aleatëve, nga cilido kërcënim,” deklaroi ai.

Ai shtoi se Aleanca do të vazhdojë të kujdeset për të gjithë anëtarët e saj dhe të ruajë praninë në rajon, përfshirë misionin e KFOR në Kosovë, si faktor stabiliteti. Duke folur për sfidat globale, Rutte theksoi se NATO nuk është e përfshirë drejtpërdrejt në konfliktet aktuale, por paralajmëroi për rrezikun nga regjimi iranian.

“Irani si një eksportues kaosi, me dekada tashmë është përgjegjës për sulme terroriste, tentim vrasje. Është duke u pakësuar kapaciteti i armëve bërthamore të Iranit, duke dobësuar kapacitetet raketore… Flas për regjimin e Iranit, jo për popullin e saj,” u shpreh Rutte.

Nga ana e saj, presidentja e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska Davkova, theksoi se prania e kreut të NATO-s është dëshmi se Aleanca qëndron pranë vendit dhe rajonit.

“Prezenca e tij këtu është shenjë e qartë se NATO është me neve. NATO do t’i mbrojë të gjitha shtetet e saj në rast se sulmohen. Siguria është përgjegjësi e përbashkët. Unë besoj se garancia më e madhe për sigurinë e Ballkanit Perëndimor dhe parandalimin e ndikimit të palëve të treta është integrimi urgjent në BE i Ballkanit Perëndimor,” deklaroi ajo.

Mesazhi i përbashkët nga takimi ishte i qartë: NATO nuk do të lejojë boshllëk sigurie apo destabilizim në rajon, ndërsa perspektiva euroatlantike dhe integrimi i plotë në Bashkimin Evropian mbeten, sipas palëve, themeli i stabilitetit afatgjatë në Ballkanin Perëndimor.

Related Articles

Back to top button