LokalXLajme

Për fëmijën që nxori thikë në internatin në Veles do të kërkohet procedurë para gjykatësit për të mitur

Prokuroria Themelore Publike e Velesit njoftoi se për fëmijën që nxori thikë në konviktin e nxënësve “Llazar Llazarevski” në Veles do të parashtrohet kërkesë për nisjen e procedurës përgatitore.

Prej atje informojnë se sot në Prokurori është dorëzuar njoftim me shkrim dhe se tashmë po ndërmerren veprime për zbardhjen e plotë të rastit. Sipas rrethanave të konstatuara deri më tani, në përputhje me Ligjin për drejtësi për fëmijët, te gjykatësi për fëmijë pranë Gjykatës Themelore në Veles do të dorëzohet kërkesë për zhvillimin e procedurës përgatitore kundër një fëmije për veprën – “Rrezikim me mjet të rrezikshëm gjatë rrahjes dhe zënkës”.

Nga Prokuroria shtojnë se, pas hetimit të plotë të rastit, nuk përjashtohet mundësia që procedura të zgjerohet edhe ndaj personave të tjerë.

Lidhur me rastin, reagim pati edhe nga Qendra për Punë Sociale në Veles, prej nga thonë se nuk kanë kompetencë të veprojnë për përcaktimin e përgjegjësisë eventuale të konviktit të nxënësve, por se punonjësit e tyre profesionalë kanë qenë të përfshirë në trajtimin e fëmijëve të përfshirë në ngjarje.

Nga Qendra informojnë se janë thirrur për të siguruar praninë e personave profesionalë gjatë bisedave me fëmijët, në rastet kur nuk ka mundur të sigurohet prania e prindit, pasi bëhet fjalë për fëmijë nga qytete të tjera.

“Punonjësit profesionalë të IP QMPS Veles vepruan dhe ishin të pranishëm gjatë bisedave ndërmjet fëmijëve dhe inspektorëve të MPB-së”, thuhet nga Qendra.

Sipas deklaratës së tyre, me fëmijët është zhvilluar edhe punë profesionale dhe këshillimore, me ç’rast ata janë njoftuar me procedurën, me dispozitat e Ligjit për drejtësi për fëmijët, me të drejtat e tyre, si dhe me masat dhe procedurat e mundshme që mund të ndërmerren.

Nga QPS Veles theksojnë gjithashtu se të gjithë fëmijët e përfshirë në ngjarje janë nga vende dhe qytete të tjera, për çka janë dërguar njoftime te qendrat kompetente për punë sociale sipas vendbanimit për veprime të mëtejshme.

“Ato janë të obliguara, në përputhje me Ligjin për drejtësi për fëmijët, të ndërmarrin aktivitete dhe masa përkatëse për ndihmë dhe mbrojtje të fëmijëve në rrezik”, thuhet në përgjigje.

Më herët, nga MPB njoftuan se rasti është denoncuar dhe se për të janë njoftuar Prokuroria dhe institucionet kompetente.

Related Articles

Back to top button