Portali X
Lajme

Në vend të përgjegjësisë, drejtoresha e Entit për Punë Sociale pyet kë e ka "frikësuar" që e ka dhënë informatën për "kujdesin për tjetrin"

2 min 0
Në vend të përgjegjësisë, drejtoresha e Entit për Punë Sociale pyet kë e ka "frikësuar" që e ka dhënë informatën për "kujdesin për tjetrin"
Ky artikull nuk është përkthyer ende në shqip.

Pas publikimit të hulumtimit të PortalitX lidhur me përfitimin e mjeteve financiare për “kujdes nga tjetri” nga Magdalena Veselinovska, në kohën kur ka qenë e punësuar në Qendën për Punë Sociale në Tetovë ku aktualisht është drejtoreshë, ajo ka zgjedhur të vazhdojë me komente në Fejsbuk.

Në vend të përgjigjeve për dokumentet, vendimet mjekësore kontradiktore dhe pagesat e llogaritura retroaktivisht për katër muaj, Veselinovska ka zgjedhur të reagojë përmes komenteve në faqen zyrtare të PortalinX në Facebook, duke tentuar të zhvendosë vëmendjen nga rasti dhe duke ngritur akuza ndaj medias.

Në reagimin e saj të parë publik, ajo shkruan:

"Kush u frikësua nga drejtoresha?
Kujdesi është marrë ligjërisht për shkak të përkeqësimit të gjendjes shëndetësore si pasojë e një operacioni dhe vdekjes së bashkëshortit. Mos më frikësoni!" (“Кој се исплаши од Директорката?
Негата е добиена законски поради влошена здравствена состојба поради извршена операција, и смрт на сопруг. Не ме плашите!”)

Pas përgjigjes së PortalinX, drejtoresha vazhdon me një tjetër koment, ku drejtpërdrejt aludon se portali ka përfituar financiarisht nga publikimi i rastit, duke shkruar:

“Portalix, t’i shpenzoni me shëndet paratë 😊”(“Portalix со здравје да си ги трошите парите 😊”)

Me këtë deklaratë, Veselinovska akuzon publikisht median për marrje parash, pa paraqitur asnjë fakt apo provë dhe pa adresuar thelbin e çështjes për të cilën është pyetur:
si është e mundur që një e punësuar në Qendrën për Punë Sociale të përfitojë mjete financiare nga i njëjti institucion, mbi bazën e një procedure që fillimisht ka pasur mendim negativ nga komisioni mjekësor.

PortalX ka kërkuar publikisht konfirmim nëse këto komente janë shkruar nga profili autentik i drejtoreshës, duke pasur parasysh se bëhet fjalë për akuza serioze ndaj një mediumi informativ.

Ndërkohë, asnjë reagim zyrtar, sqarim institucional apo dokument shtesë nuk është ofruar nga ana e drejtoreshës apo nga Qendra për Punë Sociale në Tetovë lidhur me rastin.

Ndërkohë, reagimet në rrjetet sociale nuk kanë ardhur vetëm nga drejtoresha. Në komentet në Facebook, dhjetëra qytetarë kanë shprehur habi dhe revoltë, duke ngritur pikëpyetje se si Veselinovska ka arritur të përfitojë të drejtën për “kujdes nga tjetri” me diagnozën e dhënë, ndërkohë që – sipas tyre – shumë qytetarë me gjendje shëndetësore shumë më të rëndë nuk kanë mundur ta realizojnë këtë të drejtë.

Disa nga komentuesit theksojnë se përkeqësimi i gjendjes shëndetësore, nëse personi është ende i aftë për punë, nuk përbën bazë për përfitim të kujdesit nga tjetri, ndërsa të tjerë pyesin se pse vendimi nuk është marrë në emër të bashkëshortit të ndjerë, nëse kujdesi ka qenë i lidhur me gjendjen e tij shëndetësore.

Në komente ka edhe reagime që vënë në dyshim barazinë e qytetarëve para sistemit social, duke theksuar raste konkrete të familjarëve apo personave të afërt që, pavarësisht diagnozave më të rënda dhe pamundësisë për lëvizje apo punë, janë refuzuar nga institucionet përkatëse.

Më shumë rreth këtij rasti mund të lexoni në hulumtimin e mëparshëm.

https://portalix.mk/2025/12/30/si-drejtoresha-e-qendres-per-pune-sociale-ne-tetove-mori-para-per-kujdes-nga-tjetri-dhe-kater-muaj-gratis/
Ndaje