Franca po kalon një krizë të thellë politike pasi kryeministri François Bayrou pritet të dorëzojë dorëheqjen, një ditë pasi parlamenti votoi për rrëzimin e qeverisë për shkak të planit për uljen e deficitit buxhetor. Ai është i dyti kryeministër që humb postin brenda më pak se një viti, pas largimit të Michel Barnier në rrethana të ngjashme.
Presidenti Emmanuel Macron tashmë duhet të emërojë kryeministrin e pestë në më pak se dy vite – një tregues i krizës së thellë politike që po trondit sistemin e Pestë të Republikës. Me parlament të fragmentuar dhe pa shumicë të qëndrueshme, Macron është i detyruar të manovrojë mes presionit të së djathtës ekstreme dhe të majtës radikale.
Si emra të mundshëm për pasuesin e Bayrou përmendet ministri i Mbrojtjes Sébastien Lecornu, por një zgjedhje e tillë do të shihej si vazhdimësi e një politike të papëlqyer. Nga ana tjetër, socialistët kanë shprehur gatishmëri për një “pakt mos-sulmimi”, por jo për një koalicion të qëndrueshëm, ndërkohë që kërkojnë rritje taksash për të pasurit dhe anulimin e reformave të pensioneve – masa që bien ndesh me politikat pro-biznes të Macron.
Ekspertët politikë theksojnë se presidenti është në pozitë të vështirë dhe se Franca nuk ka parë një krizë të këtij niveli që nga krijimi i Republikës së Pestë më 1958. Emërimi i një kryeministri të ri shihet si test vendimtar për të ardhmen e qeverisjes së tij.


