
Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) nga Kongresi i Pestë i mbajtur sot miratoi katër rezoluta politike, përmes të cilave riafirmon orientimin e saj strategjik për shtetin unitar, sundimin e ligjit, zhvillimin ekonomik dhe integrimin evropian të Maqedonisë së Veriu.
Përmes rezolutës për karakterin unitar të shtetit, BDI kërkon forcimin e barazisë funksionale dhe legjitimitetit të dyfishtë në qeverisje, duke propozuar që çdo qeveri e re të votohet jo vetëm me shumicë parlamentare, por edhe me shumicën e deputetëve të komuniteteve jo-shumicë, si dhe respektimin e parimit të Badenterit edhe në Gjykatën Kushtetuese.
Në rezolutën për sundimin e ligjit, partia kërkon drejtësi të pavarur dhe rikthim të besimit në institucione përmes një procesi vetingu me mbikëqyrje ndërkombëtare, hetim të pasurisë së funksionarëve publikë, zbardhje të privatizimit dhe hetim institucional të strukturave të sigurisë që nga viti 1945 e këtej.
Rezoluta për Marrëveshjen Kombëtare për Përparim parasheh një model të ri zhvillimi ekonomik dhe shoqëror, të bazuar në ekonomi konkurruese, digjitalizim, financa publike të shëndosha, zhvillim të gjelbër, infrastrukturë moderne dhe investim në kapitalin njerëzor, me theks të veçantë në rininë dhe frenimin e emigrimit.
Ndërkaq, përmes rezolutës për integrimin evropian, BDI riafirmon se anëtarësimi në Bashkimin Evropian mbetet rruga e vetme dhe e pakthyeshme për vendin, duke e cilësuar procesin si garanci për demokraci, stabilitet, zhvillim ekonomik dhe ruajtje të karakterit multietnik të shtetit.
Me këto katër rezoluta, BDI thotë se pozicionohet si forcë politike që kërkon barazi funksionale ndërmjet komuniteteve, drejtësi pa selektivitet, zhvillim të qëndrueshëm dhe përshpejtim të agjendës evropiane, duke i konsideruar këto shtylla si bazë për stabilitetin dhe të ardhmen e vendit.



