
Ndotja e ajrit në Shkup ka arritur nivele alarmante, pasi pragu i alarmit për përqendrimet e grimcave PM10 është tejkaluar për dy ditë rresht në pesë lokacione: Qendër, Gazi Babë, Karposh, Lisiçe dhe te Rektorati.
Sipas Ministrisë së Mjedisit Jetësor, bazuar në të dhënat e Monitorimit Shtetëror dhe parashikimin e motit nga Drejtoria për Punë Hidrometeorologjike, në kryeqytet do të zbatohen masa të jashtëzakonshme. Ato parashikojnë intensifikimin e kontrolleve inspektuese në instalacionet me leje të integruara A dhe B, verifikimin e gjendjes teknike të automjeteve – veçanërisht atyre me naftë dhe të paregjistruara – si dhe kontroll të rreptë të kantierëve të ndërtimit.
Me masat ndalohet djegia në hapësira të hapura, ndërsa rekomandohet që kompanitë t’i lirojnë nga obligimet e punës gratë shtatzëna, personat mbi 60 vjeç, si dhe personat me astmë kronike, ata që kanë pësuar infarkt të miokardit apo goditje në tru, pa marrë parasysh moshën. Gjatë kohëzgjatjes së masave, personat që punojnë në ambient të hapur duhet të punojnë nga ora 11:00 deri në 17:00, ndërsa nuk duhet të organizohen gara sportive apo manifestime kulturore në ambiente të hapura.
Sipas të dhënave zyrtare, përqendrimet mesatare ditore të PM10 në Qendër gjatë dy ditëve të fundit kanë qenë 151 dhe 186 µg/m³, në Gazi Babë 156 dhe 178 µg/m³, në Karposh 152 dhe 180 µg/m³, në Lisiçe 232 dhe 266 µg/m³, ndërsa te Rektorati 179 dhe 186 µg/m³.



