
Ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu, ka iniciuar inspektim të jashtëzakonshëm nga Inspektorati Shtetëror Sanitar dhe Shëndetësor për të sqaruar rrethanat e vdekjes së një foshnjeje të porsalindur në Klinikën e Gjinekologjisë dhe Obstetrikës (GAK) në Shkup. Pas këtij inspektimi pritet të zhvillohet edhe mbikëqyrje profesionale, njoftoi sot Ministria e Shëndetësisë, pas raportimit të rastit nga “Sloboden Peçat”.
Nga Ministria shprehën ngushëllime për familjen e foshnjës dhe theksuan se institucionet do të veprojnë në mënyrë profesionale, të pavarur dhe transparente, me qëllim informimin e saktë dhe objektiv të opinionit publik për rrethanat e rastit dhe veprimet e ndërmarra. Ata apeluan që, deri në përfundimin e mbikëqyrjeve dhe marrjen e raportit të autopsisë – i cili konsiderohet dokumenti i vetëm përfundimtar për përcaktimin e shkaqeve të vdekjes – të mos nxirren përfundime që mund të shkaktojnë shqetësim te familja dhe publiku.
Sipas “Sloboden Peçat”, foshnja, e cila kishte shanse reale për jetë, ka ndërruar jetë më 1 tetor në repartin e kujdesit intensiv në GAK, ndërsa familjes i ishte thënë se vdekja ishte e pashmangshme. Megjithatë, dokumente të brendshme të Klinikës tregojnë se shefja e repartit të kujdesit intensiv, dr. Elizabeta Petkovska, ka raportuar me shkrim se mjekimi i papërshtatshëm nga ana e pediatres, dr. Emilija Badeva, ka shkaktuar komplikime që kanë çuar në vdekjen e foshnjës. Sipas këtyre dokumenteve, procesi i riintubimit ka zgjatur rreth 20 minuta, periudhë gjatë së cilës dyshohet se foshnjës i janë shkaktuar lëndime fatale.
Në lidhje me këtë rast ka reaguar ashpër LSDM, e cila sot ka protestuar para Klinikës së Gjinekologjisë dhe Obstetrikës, duke kërkuar përgjegjësi dhe dorëheqjen e menjëhershme të drejtoreshës së Klinikës, dr. Irena Aleksiovska Papestiev. Nga LSDM akuzojnë se rasti është tentuar të fshihet për dy muaj, pavarësisht se drejtoresha ka qenë e informuar zyrtarisht për dyshimet për gabim mjekësor.
“Sot qëndrojmë me indinjatë para kësaj Klinike dhe kërkojmë përgjegjësi për skandalin e fundit me vdekjen e një foshnjeje. Këtu nuk ka vdekur vetëm një foshnjë, këtu kanë vdekur e vërteta, kujdesi mjekësor, morali dhe përgjegjësia,” thuhet në reagimin e LSDM-së. Partia opozitare kërkon hetim të plotë, të pavarur dhe përgjegjësi për të gjithë të përfshirët, pa dallim funksioni apo hierarkie.
Nga Ministria e Shëndetësisë rikujtojnë se GAK është institucion terciar me protokolle të përcaktuara ligjërisht dhe se publiku do të informohet sapo të përfundojnë të gjitha procedurat dhe të dalin rezultatet përfundimtare.PortaliX



