LokalXLajme

Stolisja e Shkupit për festat e fundvitit do t’i kushtojë qytetit 53 mijë euro

Qyteti i Shkupit po përgatitet për atmosferën e fundvitit, ndërsa dekorimet festive do të realizohen nga kompania “Link Media Plus”, e cila ishte e vetmja ofertuese në tenderin e shpallur. Për zbukurimin e zonës qendrore dhe bulevardeve kryesore, nga buxheti i qytetit do të paguhen 3.260.000 denarë – rreth 53.000 euro. Pas dorëzimit të garancisë bankare, pritet nënshkrimi i kontratës dhe nisja e punimeve.

“Link Media Plus” ka fituar edhe disa tenderë të tjerë këtë vit, si dekorimet në Komunën Qendër dhe në Shtip, ndërsa më herët ka realizuar dekorime festive në Kavadar, Çair dhe në Qendrën Tregtare të Shkupit. Kompania ka kryer edhe shërbime të tjera publike, përfshirë mirëmbajtjen e automjeteve të Administratës së Policisë Financiare, pastrimin e rrugëve dhe furnizimin me kontejnerë mbeturinash.

Çfarë përfshin dekorimi?

Sipas specifikimeve të tenderit, kompania duhet të vendosë elemente të shumta ndriçuese dhe festive në disa lokacione të Shkupit. Pjesa kryesore e dekorit do të vendoset në sheshin “Maqedonia”, ku do të ngrihet:

  • pemë e Vitit të Ri së paku 13 metra e lartë, me konstruksion metalik, gjelbërim artificial, zbukurime dhe ndriçim;
  • figura 3D e një ari me lartësi 4 metra;
  • yje të mëdhenj ndriçues prej alumini në dy madhësi;
  • kornizë 3D për fotografi në formë të Babagjyshit;
  • qiell i yjeve me sipërfaqe prej së paku 800 m²;
  • akulltresa LED, si dhe veshje ndriçuese për 25 shtylla të kandelabrave.

Dekorimet nuk do të kufizohen vetëm në shesh. Elemente ndriçuese, figura LED, akulltresa dhe konstrukte zbukuruese do të vendosen edhe përgjatë disa prej rrugëve dhe bulevardeve kryesore të Shkupit: “Dame Gruev”, “Dimitrija Çupovski”, “11 Tetori”, “VMRO”, “Goce Dellçev”, “Partizanski Odredi” dhe rruga “Filip II”.

Megjithëse projekti është gati, autoritetet e qytetit ende nuk kanë njoftuar datën e saktë se kur do të fillojë vendosja e dekorimeve, as programin e Natës së Vitit të Ri, përfshirë edhe artistët që do të performojnë. Qytetarët do të duhet të presin edhe pak për të kuptuar se si do të duket atmosfera festive e këtij fundviti në Shkup.

Related Articles

Back to top button