BotëXLajme

Netanjahu shpreson se të gjitha pengjet së shpejti do të lirohen

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanjahu, ka deklaruar sot se shpreson të bëjë të ditur shpejt lirimin e pengjeve që po mbahen në Gazë.

“Hamasi do të çarmatoset dhe Gaza do të çmilitarizohet – qoftë përmes rrugës së lehtë apo të vështirë, por kjo do të arrihet”, ka deklaruar Netanjahu.

Këto komente kanë ardhur pasi Hamasi e ka lëshuar një deklaratë të premten, duke thënë se është pajtuar për t’i liruar pengjet, sipas planit amerikan për paqe, por nuk e ka përmendur çarmatimin dhe ka kërkuar të negociojë në disa pika.

Hamasi dje ka bërë të ditur se Izraeli po vazhdon të kryejë “masakra” pasi e ka goditur Gazën qysh në mëngjes, dhe ka bërë thirrje për presion global ndaj Izraelit.

Bisedimet indirekte për armëpushim pritet të nisin të hënën në Egjipt.

Presidenti amerikan, Donald Tramp ka thënë se “nuk do të tolerojë vonesa” nga Hamasi për të respektuar marrëveshjen.

Ai ka thënë më vonë se Izraeli “është pajtuar për fazën fillestare të tërheqjes”, që duket se është referencë për largimin e trupave ushtarake, sipas planit amerikan.

Plani prej 20 pikash propozon përfundimin e luftimeve dhe lirimin e 20 pengjeve të gjalla izraelite të mbajtura nga Hamasi, si dhe trupat e pengjeve tjera që kanë vdekur, në këmbim me qindra palestinezë që mbahen në burgjet izraelite.

Autoritetet palestineze kanë raportuar për sulme izraelite në Gazë të shtunën, pavarësisht se Trampi i ka thënë Izraelit që t’i ndalë menjëherë bombardimet. 

Related Articles

Back to top button