
Qeveria e Izraelit urdhëroi ushtrinë të kufizojë operacionet ofensive në Rripin e Gazës dhe njoftoi se po përgatitet për “zbatim të menjëhershëm” të fazës së parë të planit të presidentit amerikan Donald Trump, pas përgjigjes së Hamasit, raportojnë mediat izraelite.
“Si rezultat i përgjigjes së Hamasit, Izraeli po përgatitet për zbatimin e menjëhershëm të fazës së parë të planit të Trump për lirimin e të gjitha pengjeve,” thuhet në njoftimin nga zyra e kryeministrit Benjamin Netanyahu.
Ndërkohë, presidenti amerikan Donald Trump publikoi një video-mesazh në të cilin deklaron se sipas planit të paqes për Gazën, “të gjitha palët do të trajtohen me drejtësi.”
“Sot është një ditë e shkëlqyer. Do të shohim si do të zhvillohen gjërat. Tani duhet të finalizojmë detajet”, thekson Trump në një video të publikuar në rrjetin e tij social Truth Social, pasi Hamasi njoftoi se kishte pranuar pjesërisht propozimin e tij.
Nga ana tjetër, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu deklaroi se përgjigjja e Hamasit ndaj planit të Trump tregon se grupi është “i gatshëm për paqe”, raportoi agjencia izraelite e lajmeve TPS.
Ushtria izraelite njoftoi se ka marrë urdhra për t’u përgatitur për zbatimin e fazës së parë të planit të paqes të presidentit amerikan Donald Trump për Gazën.
“Në përputhje me udhëzimet e udhëheqjes politike, shefi i Shtabit të Përgjithshëm dha urdhra për përgatitje për zbatimin e fazës së parë të planit të Trump për lirimin e pengjeve,” thuhet në deklaratën e Forcave të Mbrojtjes së Izraelit (IDF).



