
Në prag të debatit të përgjithshëm të Asamblesë së 80-të të Kombeve të Bashkuara, që nis më 23 shtator 2025, iniciativa qytetare “Të gjithë për Palestinën” i ka drejtuar një letër presidentes Gordana Siljanovska-Davkova. Ata kërkojnë që qëndrimet dhe votat e saj të jenë në harmoni me vlerat dhe historinë e popullit vendas, i cili tradicionalisht ka shprehur solidaritet për një Palestinë të pavarur dhe për dënimin e gjenocidit mbi popullin palestinez.
Iniciativa thekson se Maqedonia e Veriut shpesh ka votuar e përmbajtur në rezoluta kyçe për Gazën, gjë që sipas tyre bie ndesh me frymën e solidaritetit historik që vendi ka treguar. Ata kujtojnë se Shkupi mban titullin “Qyteti i solidaritetit botëror” që nga viti 1963 dhe se ky emër duhet të justifikohet edhe sot.
Në kërkesat e tyre, përfshihet: njohja e menjëhershme e shtetit palestinez, dënimi i qartë i gjenocidit, kërkesa për armëpushim dhe futje të ndihmës humanitare në Gaza, si dhe ndërprerja e çdo bashkëpunimi ekonomik, kulturor dhe sportiv me Izraelin.
- Maqedonia të dënojë publikisht dhe menjëherë gjenocidin kundër popullit palestinez dhe të njohë Palestinën;
- Të bëjë thirrje urgjente për armëpushim dhe hyrjen e ndihmës humanitare në Gaza që nuk shpërndahet nga Izraeli;
- Të fillojë të votojë PËR solidaritet me popullin palestinez në të gjitha votimet e ardhshme në OKB;
- Të vendosë sanksione ndaj Izraelit, të ndërpresë njohjen e Izraelit, të ndërpresë menjëherë tregtinë me Izraelin dhe të ndalojë çdo bashkëpunim kulturor, arsimor dhe sportiv me Izraelin;
- Të kthejë politikën e jashtme në duart e popullit me një frymë solidariteti, jo me një frymë përfitimi personal, janë kërkesat e iniciativës.
“Ju votoni në emër të qytetarëve, prandaj flisni dhe veproni në përputhje me ta”, thuhet në reagimin e iniciativës.



