Nxënësit ose pa libra, ose me të shkatërruara! Prindërit shpërthejnë në akuza ndaj MASH-it (VIDEO)

Një ankesë e madhe ka përfshirë arsimin fillor në Shkup. Nxënësit e klasës së 4-të në shkollën fillore “Panajot Ginovski” në Butel janë lënë pa libra, ndërsa ato pak ekzemplarë që kanë mbërritur janë në gjendje të shkatërruar. Prindërit, të drejtuar në PortaliX, thonë se kjo është një padrejtësi e rëndë ndaj fëmijëve dhe fajësojnë drejtpërdrejt Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës (MASH).
“Jam prind i një nxënësi të klasës së 4-të. Librat që u kanë dhënë fëmijëve janë të grisur, të vizatuar, disa pa faqe, dhe mbi të gjitha nuk ka numër të mjaftueshëm. Në një klasë me 30 nxënës, librat nuk mjaftojnë as për gjysmën. Në vitin 2025, fëmijët tanë detyrohen të mësojnë nga mbeturina letrash. Ky është turp dhe padrejtësi,” ka denoncuar një prind në PortaliX, duke publikuar edhe fotografi si dëshmi.


Në një reagim tjetër, një prind tjetër ka shprehur pakënaqësinë me fjalë edhe më të ashpra: “Mos gabo ndonjë profesor me lyp mësim prej nxënësve, se ju jeni ata që duhet të bëni bojkot për këto libra edhe të ngritni zërin ndonjëherë, e jo të bëheni sikur gjithçka është në rregull.”
Ai ka shpërndarë edhe video ku shihen librat e shkatërruar.
Prindërit theksojnë se kjo nuk është hera e parë që përballen me këtë problem, duke kujtuar se çdo vit përsëritet e njëjta situatë. Ata kritikojnë institucionet për mungesë përgjegjësie dhe theksojnë se procesi mësimor nuk mund të zhvillohet normalisht pa libra të rinj dhe të ruajtur mirë.
Ndërkohë, rrjetet sociale janë mbushur me ankesa të shumta nga prindërit në të gjithë vendin, të cilët publikojnë foto dhe video të librave të dëmtuar, duke e cilësuar këtë si një nga dështimet më të mëdha të autoriteteve arsimore./PortaliX



