Nga Shqipëria hyri në Maqedoni për t’u dërguar në Turqi, në rrugën Manastir – Prilep kapen 35 kg marihuanë

Policia e Maqedonisë së Veriut ka sekuestruar rreth 35 kilogramë marihuanë gjatë një aksioni në rrugën rajonale Manastir–Prilep, duke parandaluar një transport të madh të drogës.
Siç njofton MPB, pas masave operative të ndërmarra ndaj personit I.A. (36) nga Prilepi, i cili vetëm 20 ditë më parë kishte përfunduar vuajtjen e një dënimi prej 3.5 vitesh burg për të njëjtën vepër, policia ndaloi një veturë tip Golf që ai po drejtonte. Në bagazhin e makinës u gjetën dy çanta me 35 pako marihuanë, me peshë totale prej rreth 35 kilogramësh.
Hetimet tregojnë se droga ishte futur në mëngjes nga Shqipëria dhe ishte planifikuar të transportohej deri në kufirin me Greqinë, për t’u dërguar më tej në Turqi.
I.A. është ndaluar në Stacionin Policor të Manastirit, ndërsa pas kompletimit të dokumentacionit, ndaj tij do të ngrihet kallëzim penal për veprën “Tregti e paligjshme me drogë”, sipas nenit 215 të Kodit Penal./PortaliX



