
Sot hyn në fuqi një Rregullore e re për automjetet, që sjell standarde dhe risitë evropiane për miratimin e tipit të automjeteve, identifikimin, vlerësimin teknik dhe lëshimin e vërtetimeve për përmbushjen e kërkesave teknike.
Sipas Ministrisë së Energjetikës, Minierave dhe Burimeve Minerale, pas 17 vitesh që nga miratimi i Ligjit për Automjetet, tani procedurat do të harmonizohen me standardet e Bashkimit Evropian. Së fundmi, u mbajt një takim pune me mbi 40 përfaqësues të autorizuar dhe importues, ku u prezantuan ndryshimet që hyjnë në fuqi nga 1 shtatori.
Çfarë ndryshon?
-
Miratimi i tipit të automjetit do të bëhet për të gjitha variantet sipas dokumentit WVTA, përveç nëse importuesi kërkon ndryshe.
-
Miratimi individual do të aplikohet vetëm për automjetet pa miratim tipi në vend ose në BE.
-
Automjetet me miratim tipi të mëparshëm nuk do të kalojnë më procedurë shtesë dhe do të identifikohen dhe vlerësohen teknikisht direkt.
-
Vërtetimet për përmbushje teknike do të lëshohen nga importuesit për automjetet me miratim tipi evropian ose kombëtar. Për automjetet e tjera, vërtetimet mund të sigurohen nga institucione të pavarura të pranuara nga Byroja e Metrologjisë.
Sipas llogarive, më parë importuesit shpenzonin 1,3 milion euro në vit për vërtetime TÜV që nuk ishin të nevojshme, shumica e të cilave shkonte tek kompanitë e huaja. Tani procesi do të përqendrohet te përfaqësuesit e autorizuar dhe kompanitë vendase.
Afatet për miratimin e tipit në Byronë e Metrologjisë do të shkurtohen përgjysmë, duke e bërë procesin më të shpejtë dhe efikas. Çmimet e shërbimeve do të rregullohen, ndërsa vërtetimet për përmbushjen e karakteristikave teknike do të kushtojnë 40–50 euro.



