
Pas sulmit fizik të përmbarueses Vesna Jakimovska ndaj ekipit të PortaliX dhe policisë, Oda e Përmbaruesve vendosi t’i qëndrojë prapa përmbarueses Jakimovska dhe mos të distancohet nga sjellja e saj.
Jo vetëm kaq, por ata po tentojnë të ushtrojnë presion ndaj PortaliX. Nëpërmjet një emaili të dërguar në postën tonë elektronike, kanë kërkuar sot video materialet nga sulmi i Jakimovskës ndaj ekipit tonë në Kërçovë.
“Duke pas parasysh që e gjithë ngjarja është e xhiruar, kërkojmë nga ju që në afat sa më të shkurtër deri tek Oda e përmbaruesve ta dorëzoni materialin e plotë në mënyrë integrale të ngjarjes që është zhvilluar më 21.03.2024 në Kërçovë ku është e xhiruar përmbaruesja Vesna Jakimovska”, thuhet në emailin e Odës.
Por, PortaliX nuk e ka për detyrë t’ia dorëzojë këto materiale Odës, pasi ajo nuk është organ hetimi apo gjykatë.
PortaliX këtë kërkesë e konsideron si sulm të drejtpërdrejtë ndaj fjalës së lirë dhe tentim që të frikësohet ekipi ynë.



