
Drejtori i MEPSO-s, Burim Latifi, sot ka zgjedhur të mbledhë gazetarë në një brifing për temat dhe skandalet për të cilat raportoi PortaliX, por pa e ftuar mediumin që i hapi këto çështje para opinionit.
Kjo ngre disa pyetje legjitime publike:
— A frikësohet drejtori Latifi nga pyetjet e drejtpërdrejta të PortaliX-it?
— Pse mediumi që publikoi dokumente, tenderë, dyshime ligjore dhe lidhje problematike përjashtohet nga brifingu?
— A po organizohen brifingje vetëm me media “të përshtatshme”, ku nuk parashtrohen pyetje të pakëndshme?
— Pse MEPSO ende nuk ka dhënë përgjigje konkrete nëse është zbatuar neni 110 i Ligjit për Prokurime Publike për ofertën 71.7% më të ulët në tenderin për pastrimin e korridoreve nën largpërçues?
— A është kërkuar analizë financiare dhe dëshmi matematikore se si kompania “Green Maintenance” mund të realizojë punët me një çmim kaq drastikisht më të ulët?
— Pse MEPSO nuk dha përgjigje të qarta lidhur me faktin se PortaliX nuk arriti ta lokalizojë fizikisht selinë e degës italiane në Gllumovë?
— A ka përgjegjësi për faktin që Maqedonia e Veriut rrezikon të paguajë rreth 6 milionë euro pas ndërprerjes së kontratës me “Energoinvest”?
— A ka bërë MEPSO analizë të thelluar reputacionale dhe të sigurisë për kompanitë e përzgjedhura në projektin strategjik të interkoneksionit 400 kV me Shqipërinë, duke marrë parasysh lidhjet dhe dyshimet e publikuara në media rajonale?
PortaliX nuk pret privilegje. Por përjashtimi i mediumit që ka publikuar aferat nga një brifing pikërisht për ato tema, është mesazh i keq për transparencën publike dhe raportin e institucioneve me mediat kritike.



