
PortalX publikoi, ndërsa Agjencia për Shërbime Mediatike Audio dhe Audiovizuale konfirmoi – emisioni “Muzicka Fabrika”, i cili transmetohet në servisin publik, ka shkelur dispozita të ligjit duke përfshirë marketing të fshehtë dhe produkte në program për fëmijë, edhe pse kjo është e ndaluar.
Kur iu drejtuam Agjencisë, institucioni tashmë kishte zhvilluar mbikëqyrje programore mbi MRT1 dhe MRT5 – kanali për fëmijë ku transmetohet “Muzicka Fabrika” – për periudhat 23–29 mars dhe 6–12 prill.
Çfarë konstatoi konkretisht Agjencia?
Shkelje të nenit 99, paragrafët 4 dhe 5 të ligjit, të cilat përcaktojnë se nuk lejohet reklamimi në programe për fëmijë me kohëzgjatje deri në 30 minuta dhe ndalohet transmetimi i teleshopping-ut.
Nga mbikëqyrja, Agjencia konstatoi se emisioni “Muzicka Fabrika” ka sponsorë, të cilët përmenden në titrat përmbyllës. Megjithatë, shkelja qëndron te neni 55, paragrafi 1, pasi në episodet e analizuara sponsorët, përmes produkteve dhe logove të tyre, janë të pranishëm gjatë gjithë kohës në program – gjë që ligji e ndalon.
Për shkeljet e konstatuara, Agjencia ka shqiptuar masa ndaj dy shërbimeve programore të RTMV-së.
Sipas ligjit, masa fillestare është vërejtje publike, ndërsa më pas Agjencia duhet të kryejë mbikëqyrje kontrolluese për të parë nëse janë bërë korrigjimet. Nëse jo, pason kallëzim për kundërvajtje.
Pasi raportimi i PortalX mori edhe konfirmim institucional – se kompania “Radosnica DOO” ka shkelur ligjin – kërkuam qëndrim edhe nga Marjan Cvetkovski, ish-drejtor i servisit publik dhe nënshkrues i kontratës me këtë kompani. Sepse edhe kontrata është shkelur.
Siç kemi raportuar më parë, neni 8 përcakton qartë se “Muzicka Fabrika” nuk ka të drejtë të bëjë reklamim apo promovim të kompanive, produkteve apo marketing të fshehtë në kuadër të projektit televiziv.
Ndërsa neni 10 parasheh se “secila palë mund ta ndërpresë kontratën nëse nuk respektohen të drejtat dhe detyrimet e saj”.
Ish-drejtori Marjan Cvetkovski thotë se MRT nuk ka marrë asnjë njoftim zyrtar nga Agjencia dhe se konstatimet e publikuara janë, sipas tij, “spekulime dhe të pavërteta”.
Sa i përket shkeljes së kontratës, ai theksoi se “MRT nuk ka pranuar asnjë dokument zyrtar dhe aktualisht nuk është iniciuar asnjë procedurë. Nëse pranohen udhëzime zyrtare nga Agjencia, do të veprohet sipas akteve të brendshme dhe ligjit për mbrojtjen e interesit të RTMV-së”.
Megjithatë, projekti “Muzicka Fabrika” hap edhe çështje të tjera – nëse fëmijët që shfaqen në video promocionale për brendet kanë pëlqimin e prindërve dhe nëse familjet kanë marrë kompensim financiar. Nëse jo, kjo nënkupton se “Radosnica DOO” ka përfituar shtesë nga kompanitë përmes reklamimit me fëmijë të produkteve ushqimore, kompanive të sigurimit dhe bankave – gjë që konfirmohet edhe nga Agjencia, e cila i klasifikon ato si sponsorë.

“Në lidhje me të gjithë pjesëmarrësit e regjistruar në projektin ‘Fabrika Muzikore’, kemi siguruar pëlqim me shkrim nga prindërit/kujdestarët për pjesëmarrje dhe ekspozim mediatik të fëmijëve, që është pjesë e procesit të aplikimit. Të gjitha aktivitetet në rrjetet sociale dhe platformat digjitale realizohen në përputhje me këtë pëlqim dhe me legjislacionin në fuqi”, deklarojnë nga “Radosnica DOO”.
Megjithatë, as “Radosnica” dhe as kompanitë sponsore të kontaktuara nuk zbuluan se si janë rregulluar marrëveshjet e sponsorizimit, pasi sipas kontratës që “Muzicka Fabrika” ka me RTMV-në, ato nuk do të duhej të ekzistonin fare. Kjo sepse e drejta ekskluzive për shitjen e hapësirës reklamuese në emision i takon RTMV-së, jo “Radosnica DOO”-s.
Ndërkohë, “Radosnica DOO” për realizimin e “Muzicka Fabrika” do të përfitojë 232.000 euro nga servisi publik.
Autor: Petar Klinçarski



