LokalXLajme

Prokurorja Ristovska jep dorëheqje, e hoqën nga lëndët për financimin e VMRO-DPMNE-së

Ish-prokurorja speciale Lençe Ristoska dha dorëheqje nga funksioni i prokurores publike, duke publikuar një letër në të cilën numëron presione, pengesa dhe vendime që, sipas saj, e kanë çuar deri te ky vendim. Në njoftimin e saj, Ristoska shkruan se funksionin e prokurorit publik gjithmonë e ka kuptuar si thirrje dhe si mundësi për të kontribuar në përmirësimin e sistemit, të shoqërisë dhe të jetës së qytetarëve.

Ajo thotë se gjatë karrierës është përballur me shumë pengesa, veçanërisht në rastet e profilit të lartë, ku sipas saj kanë ekzistuar ndikime mbi dëshmitarë, presione, ndryshime të zgjidhjeve ligjore, mbajtje të lëndëve në sirtar dhe vjetërsim të tyre. Pavarësisht kësaj, Ristoska shkruan se ka vazhduar të kritikojë publikisht gjendjen në drejtësi, pa llogaritur pasojat për karrierën e saj.

Në letër, ajo thekson se kishte dashur që përpjekjet e saj t’i kurorëzonte nga një pozitë drejtuese, përmes kandidaturës për prokurore publike të shtetit, me vizion për një institucion që do të udhëhiqej nga interesi publik, lufta kundër korrupsionit dhe kriminalitetit, si dhe mbrojtja e të drejtave të qytetarëve.

Megjithatë, si pikë kthese, Ristoska përmend zhvillimet e kësaj jave. Ajo njofton se Këshilli i Prokurorëve Publikë e ka hedhur poshtë parashtresën e saj për sulm ndaj integritetit dhe pavarësisë, ndërsa prokurori publik i shtetit ka marrë vendim për tërheqjen e autorizimeve për përfaqësim në lëndë kyçe që ndodhen në fazë përfundimtare. Sipas saj, këto vendime e dobësojnë seriozisht pozitën e prokurorisë publike dhe sjellin rreziqe konkrete për rezultatin e lëndëve që kanë në shënjestër korrupsionin e lartë dhe kriminalitetin.

Ristoska vlerëson se këto veprime janë në kundërshtim të drejtpërdrejtë me vizionin e saj për një prokurori që punon jashtë ndikimeve politike, i mbron profesionistët e saj dhe e mbron interesin publik pa selektivitet. Për këtë arsye, ajo thotë se nuk sheh më hapësirë për të vepruar në përputhje me parimet e saj dhe ka dorëzuar dorëheqjen.

Related Articles

Back to top button