LokalXLajme

Një kolltuk nuk mjafton për Astrit Iljazin e VLEN

Një kolltuk nuk mjafton për Astrit Iljazin – tani nën lupën e Komisionit Kundër Korrupsionit.

Ai njëkohësisht është drejtor i HEC “Treska”, degë e AD ESM – ndërmarrje shtetërore, si dhe anëtar i Këshillit të Qytetit të Shkupit nga koalicioni VLEN.

Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit ka hapur lëndë pas një denoncimi se Iljazi ushtron paralelisht dy funksione.

Nga institucioni bëjnë të ditur se procedura është në vijim, ndërsa vendimi do të merret pasi të konstatohet gjendja faktike.

Në fletën anketuese pranë Antikorrupsionit, ai i ka deklaruar të dy funksionet – si atë të këshilltarit ashtu edhe atë të drejtorit.

Sipas të dhënave publike, Iljazi është emëruar drejtor më 3 janar 2025, ndërsa në tetor të po atij viti është bërë edhe këshilltar në Qytetin e Shkupit.

Ligji për parandalimin e korrupsionit qartë përcakton se një person i zgjedhur nuk mund të ushtrojë njëkohësisht funksion drejtues në një ndërmarrje publike.

Qëllimi është të parandalohet konflikti i interesit.

Megjithatë, Iljazi thotë se gjithçka është verifikuar ligjërisht dhe se nuk ka ndërmend të tërhiqet nga asnjë funksion.

Raste të ngjashme ka pasur edhe më parë.

Këshilltari Petar Miletiq u tërhoq nga funksioni pasi u bë drejtor në ESM, ndërsa Atanas Rizov u gjobit me 18.488 denarë për shkak të papajtueshmërisë së funksioneve.

Nëse konstatohet shkelje edhe në këtë rast, ligji parashikon gjobë monetare – por jo detyrim për t’u tërhequr.

Vendimi përfundimtar mbetet në dorën e vet funksionarit.

Related Articles

Back to top button