
Prokurori i ri republikan, Nenad Saveski, sot dha betimin solemn para kryetarit të Kuvendit, Afrim Gashi, duke marrë zyrtarisht detyrën.
Pas betimit, Saveski deklaroi se prokuroria duhet të funksionojë vetëm mbi bazën e ligjit, pa asnjë ndikim politik. Ai theksoi se interesat e partive politike nuk janë pjesë e interesit të tij dhe se politika nuk do të jetë pjesë e punës së tij.
“Pavarësisht sa vota kam marrë, puna ime do të varet nga obligimet ligjore”, tha Saveski, duke iu referuar mungesës së mbështetjes nga opozita gjatë zgjedhjes së tij.
Ai nënvizoi se nuk do të bëjë përzgjedhje të lëndëve dhe se çdo rast do të trajtohet në mënyrë të barabartë.
“Çdo lëndë ka të njëjtën peshë. Nuk do të ketë prioritete me porosi nga askush. Do të veprohet sipas procedurave ligjore që vlejnë për të gjithë”, deklaroi Saveski.
Sa i përket çështjeve që lidhen me ndikimet politike apo rihapjen e rasteve, ai tha shkurt se tashmë ka dhënë qëndrim për këtë temë.
Si prioritet në punën e tij, Saveski paralajmëroi modernizimin e prokurorisë, përfshirë digjitalizimin e sistemit për menaxhimin e lëndëve, me qëllim rritjen e efikasitetit dhe transparencës. Ai premtoi se publiku do të ketë përgjigje për çdo rast.



