LokalXLajme

Kuvendi zgjedh Nenad Saveskin për Prokuror të ri Shtetëror

Kuvendi i Maqedonisë së Veriut me 66 vota “për”, dy “kundër” dhe tetë “abstenime” e zgjodhi Nenad Saveski për Prokuror të ri Shtetëror. Ai do ta drejtojë institucionin për një mandat gjashtëvjeçar në një periudhë kur besimi i qytetarëve në sistemin e drejtësisë është në nivele shumë të ulëta.

Zëvendëskryeministri Aleksandar Nikoloski, duke arsyetuar propozimin e Qeverisë, theksoi se pret që Saveski të punojë për rikthimin e besimit në sistemin prokurorial dhe gjyqësor. Sipas tij, në opinion publik vazhdimisht ka kritika serioze ndaj këtyre institucioneve, ndërsa niveli i besimit ndaj tyre sillet rreth dy për qind, gjë që paraqet një sfidë të madhe për prokurorin e ri.

Deputetët e Frontit Europian, mes tyre Skender Rexhepi, Ilir Hasani dhe Halil Snopçe, theksuan se presin nga Saveski të rihapë disa raste të ndjeshme që prej kohësh janë në fokus të opinionit publik. Ata përmendën rastin e spitalit modular në Tetovë, rastin e vogëlushit Almiri, si dhe rastet “Monstrum” dhe “Alfa”. Rexhepi deklaroi se nuk është kundër kandidaturës, por nuk do ta mbështesë derisa të shohë gatishmëri për t’u marrë me këto raste.

Pritje nga prokurori i ri shprehu edhe deputeti Mališa Stanković nga Partia Socialiste, pjesë e koalicionit qeverisës. Ai tha se Saveski tregon guxim duke marrë drejtimin e një institucioni me vetëm dy për qind besim dhe kërkoi që të fokusohet në luftën kundër krimit të lartë dhe oligarkisë, përfshirë bankat, kompanitë e sigurimeve, firmat offshore dhe mafian ndërtimore.

Nga opozitarja LSDM, deputetja Jovana Trençevska paralajmëroi se ekziston rreziku që Prokuroria të shndërrohet në zgjatim të politikës. Sipas saj, ofensiva politike e VMRO-DPMNE dhe paralajmërimi për një ligj të ri për Prokurorinë Publike mund të çojnë drejt kontrollit partiak mbi ndjekjen penale në vend.

Në një intervistë të dhënë para zgjedhjes, Saveski deklaroi se nuk do të ketë drejtësi selektive dhe se për të çdo lëndë është e rëndësishme. Ai paralajmëroi digjitalizimin e punës së Prokurorisë, rritjen e transparencës dhe përmirësimin e kushteve të punës, duke theksuar se një institucion i varfër nuk mund të luftojë kundër kriminelëve të pasur.

Saveski do ta lërë detyrën e gjyqtarit në Gjykatën Themelore Penale në Shkup për t’u rikthyer në prokurori, ku më parë ka punuar shtatë vjet si prokuror publik. Karrierën e tij e ka nisur si praktikant gjyqësor në Gjykatën Themelore në Gostivar, për të vazhduar më pas si bashkëpunëtor profesional, prokuror dhe gjyqtar në departamentin për krim të organizuar dhe korrupsion.

Zgjedhja e tij vjen pas dorëheqjes së ish-prokurorit shtetëror Ljupço Kocevski në dhjetor të vitit 2025, ndërsa detyrën përkohësisht e ushtronte Anita Topolova‑Isajlovska. Në një kohë kur drejtësia në vend përballet me kritika të shumta dhe besim të ulët publik, nga prokurori i ri pritet të ndërmarrë hapa konkretë në luftën kundër krimit dhe korrupsionit dhe të rikthejë besimin e qytetarëve në institucionet e drejtësisë.

Related Articles

Back to top button