LokalXLajme

ISHT: Nuk ka fshehje të naftës në pikat e karburantit, disa kishin mbetur përkohësisht pa rezerva

Kontrollet e realizuara nga Inspektorati Shtetëror i Tregut (ISHT) në më shumë se 300 pika karburanti në vend nuk kanë konstatuar fshehje të rezervave të karburantit.

Drejtori i ISHT-së, Vlatko Stojkoski, bëri të ditur se inspektimet janë zhvilluar gjatë tre deri në katër ditëve të fundit dhe në disa raste është vërejtur se rreth 30 pika karburanti përkohësisht kanë ndaluar furnizimin, pasi kishin shpenzuar rezervat e tyre.

Megjithatë, sipas tij, situata është normalizuar shumë shpejt, pasi pas një deri në katër orësh rezervuarët janë furnizuar sërish dhe pikat e karburantit kanë vazhduar me shitjen e derivateve.

“Pas një apo dy orësh, ndonjëherë edhe pas katër orësh, pas furnizimit të ri të rezervuarëve vazhdohet me shitjen e karburantit. Kjo ishte situata gjatë këtyre tre-katër ditëve”, deklaroi Stojkoski.

Pas rritjes së çmimit të dizelit për 14,5 denarë dhe të benzinës për 5 denarë, autoritetet paralajmërojnë se do të ketë kontrolle më të rrepta edhe në tregun e produkteve ushqimore, për të parandaluar rritje të pajustifikuar të çmimeve.

Stojkoski njoftoi se do të hartohet një plan operativ dhe do të formohet ekip për kontrolle në markete, distributorë, importues dhe prodhues të ushqimit, ndërsa ISHT do të monitorojë edhe marzhat bruto të fitimit.

Edhe kryeministri Hristijan Mickoski deklaroi se Komisioni për Mbrojtjen e Konkurrencës dhe Inspektorati Shtetëror i Tregut do të ndjekin nga afër sjelljen e tregtarëve me shumicë dhe pakicë, ndërsa Qeveria do të reagojë në varësi të situatës në treg.

Sipas tij, Maqedonia e Veriut aktualisht ka çmimet më të ulëta të karburanteve në rajon, gjë që ka bërë që qytetarë nga vendet fqinje të vijnë për të furnizuar automjetet e tyre, veçanërisht në komunat kufitare.

Autoritetet theksojnë se në vend ka sasi të mjaftueshme të naftës dhe derivateve dhe se aktualisht nuk ekziston rrezik për mungesë të karburantit.

Related Articles

Back to top button