LokalXLajme

Qeveria nis kontrolle të jashtëzakonshme pas konfiskimit rekord të 40 tonëve marihuanë

Qeveria ka vendosur të ndërmarrë kontrolle të jashtëzakonshme ndaj të gjitha kompanive të licencuara për prodhimin e kanabisit për qëllime mjekësore, në të gjithë territorin e Maqedonisë së Veriut. Masat u miratuan në seancën e 149-të të Qeverisë, me qëllim parandalimin e prodhimit të paligjshëm dhe lëshimin e kanabisit në tregun ilegal vendor dhe ndërkombëtar. Institucionet kompetente kanë afat 45 ditë që të dorëzojnë raporte, ndërsa Qeveria paralajmëroi riaktivizimin e Komisionit shtetëror ndërinstitucional për luftën kundër prodhimit të paligjshëm dhe keqpërdorimit të drogës, i cili që nga viti 2017 ka qenë pothuajse jofunksional.

Daljen e këtij vendimi e motivoi edhe konfiskimi rekord i 40 tonëve marihuanë, e cila ishte e destinuar për tregun vendor dhe për tregjet evropiane. Lënda narkotike u gjet e magazinuar në depot e disa kompanive që formalisht kishin licenca për prodhim mjekësor, por që dyshohet se kanë vepruar jashtë protokolleve ligjore.

“Po shohim këto 40 tonë marihuanë të konfiskuar, të gjetura në fazën e parë të hetimit. Komisioni pranë Ministrisë së Shëndetësisë konstatoi se kjo marihuanë është prodhuar, magazinuar dhe ruajtur jashtë protokolleve të përcaktuara.”, deklaroi Pançe Toshkovski, ministër i Punëve të Brendshme:

Ministri Toshkovski theksoi se droga aktualisht ndodhet në ambientet e MPB-së dhe do të përdoret si provë në procedurën hetimore, ndërsa sipas tij, droga ishte planifikuar të përfundonte në rrugët e Maqedonisë dhe të Evropës.

“Ajo që shihni pas meje është pjesë e këtyre 40 tonëve lule kanabisi, rezultat i politikave të gabuara të një periudhe që nuk duhet të përsëritet. Askush nuk është mbi ligjin dhe nuk do të ketë kompromis me paligjshmërinë.”, deklaroi kryeministri Hristijan Mickoski.

Sipas MPB-së, droga është konfiskuar në koordinim me Byronë për Siguri Publike dhe Prokurorinë për Krim të Organizuar, ndërsa hetimet vazhdojnë. Autoritetet paralajmërojnë informim të rregullt të publikut për çdo zhvillim të ri dhe masat që do të pasojnë.PortaliX

Related Articles

Back to top button