
Sistemi “Safe City” pritet të fillojë së shpejti me funksionim edhe në Ohër dhe Strugë, me instalimin e gjithsej 40 kamerave të trafikut, të cilat do të shërbejnë për evidentimin e shkeljeve dhe rritjen e sigurisë rrugore.
Sipas informacioneve nga SPB Ohër, një pjesë e infrastrukturës tashmë është vendosur në terren. Katër kamera janë instaluar në aksin rrugor Ohër–Kërçovë, në afërsi të fshatrave Gorenc dhe Trebenishtë, si dhe pranë Botunit dhe Novo Sellës në zonën e Debërcës. Aktualisht, pajisjet ndodhen në fazë testimi teknik dhe nuk aplikojnë sanksione.
Nga policia sqarojnë se qëllimi i sistemit është zvogëlimi i shkeljeve dhe aksidenteve, veçanërisht gjatë periudhave me fluks të shtuar trafiku, kur evidentohen më shpesh shpejtësia e tepruar, tejkalimet e rrezikshme dhe parkimi i paligjshëm, sidomos në hyrjet e zonave turistike.
Projekti “Safe City” tashmë është vënë në funksion në Shkup, Kumanovë dhe Tetovë, ku pas një periudhe testimi që filloi më 1 dhjetor 2025, gjobat nisën të shqiptohen më 1 shkurt 2026. Autoritetet paralajmërojnë se sistemi do të zgjerohet gradualisht edhe në qytete dhe rajone të tjera të vendit.
Nga SPB bëjnë të ditur se para aktivizimit të plotë do të ketë informim publik për vendndodhjen e kamerave, llojin e shkeljeve që sanksionohen, si dhe për mbrojtjen e të dhënave personale, në përputhje me ligjin.



