MPB konfirmon kallëzime për shqetësim gjatë mbledhjes së borxheve.
“Nëse nuk e paguani këstin, mbledhësit e terrenit do t’ju vizitojnë në shtëpi ose në vendin e punës.”
Telefonata të tilla kërcënuese ka marrë Martini, 26-vjeçari nga Shkupi, i cili ka marrë para nga një shoqëri financiare për kredi të shpejtë. Ai thotë se i ka paguar këstet me rregull deri dy muaj më parë, kur u përball me vështirësi shtesë financiare. Që atëherë, telefoni i tij nuk ka pushuar së rëni çdo ditë, ndërsa operatorët nga ana tjetër e linjës e kërcënonin se agjentët e tyre për mbledhje në terren do ta vizitonin në adresën e banimit dhe në vendin e punës.
“E kam lexuar kontratën dhe aty shkruan qartë se pas 90 ditësh mospagimi të kredisë, ata mund ta çojnë rastin te përmbaruesi. Kjo më është krejtësisht e qartë dhe ua kam theksuar këtë. Megjithatë, bisedat nga ana e tyre shkojnë në një drejtim tjetër, me përdorimin e metodave të fajdexhinje, të kërcënimeve për ardhje në shtëpi. Nga e marin të drejtën për të shkaktuar stres?”, pyet ai, duke mos dashur të zbulojë identitetin e tij dhe emrin e shoqërisë financiare, për të mos u përballur me probleme.
Në një bisedë për PortalX, Martin tha se u inkurajua të flasë për përvojat e pakëndshme pasi në publik u ndanë shumë shembuj të paligjshëm të funksionimit të këtyre “dyqaneve” të parave të shpejta dhe pas njoftimit të shtetit se do t’i vë nën kontroll që të veprojnë brenda kornizave ligjore.
“E dini si është tek ne. Secili hesht për problemin që ka, në vend që të inkurajohet të flasë. Kam në plan ta denoncoj këtë dhe, nëse duhet, ta ndjek edhe në rrugë gjyqësore”, thotë ai.
Zyra e avokatisë Vanevski thekson se kohët e fundit po vërehet dukuria e mbledhjes në terren të borxheve, ku persona fizikë ose përfaqësues të kompanive shkojnë drejtpërdrejt në shtëpitë ose vendet e punës të debitorëve, duke kërkuar pagesë të menjëhershme të borxhit.
Mbledhja e borxhit në terren nënkupton që kreditorët ose agjencitë e mbledhjes së borxheve dërgojnë përfaqësuesit e tyre në adresën e debitorit me qëllim që ta detyrojnë personalisht të paguajë borxhet. Kjo mund të manifestohet përmes kërcënimeve, presionit dhe frikësimit, çka përbën shkelje serioze të sigurisë personale dhe privatësisë.
Nga zyra e avokatisë Vanevski theksojnë se mbledhja në terren e borxheve është e paligjshme, pasi prania fizike dhe presioni ndaj debitorit mund të konsiderohen si kërcënim, shantazh dhe presion, në kundërshtim me ligjet për mbrojtjen e sigurisë personale dhe privatësisë.
“Mbledhja e borxheve duhet të realizohet përmes procedurave gjyqësore dhe kanaleve zyrtare ligjore, e jo përmes presionit fizik dhe kërcënimeve. Denoncojeni menjëherë incidentin në polici. Siguroni të gjitha informacionet për personat që janë përpjekur të mbledhin borxhin, përfshirë emrat e tyre, përshkrimin dhe detaje të tjera relevante”, këshillon zyra e avokatisë.
Ka kallëzime edhe në Ministrinë e Financave dhe në MPB
Se përvoja e shkupjanit Martin nuk është e izoluar apo e vetme, e dëshmojnë edhe kallëzimet e qytetarëve të tjerë për këto veprime të paligjshme.
Në Ministrinë e Financave, e cila ka rol kyç në rregullimin dhe mbikëqyrjen e shoqërive financiare që ofrojnë kredi të shpejta (kredi konsumatore nga institucione jo-bankare), thonë se gjatë vitit 2025 janë pranuar rreth 50 ankesa nga qytetarët që lidhen me punën e këtyre shoqërive dhe se përmes Departamentit për Ndjekje dhe Mbikëqyrje kanë vepruar.
“Ndër kallëzimet, dy lidhen me shqetësime gjatë mbledhjes së kredive, për të cilat qytetarët janë udhëzuar t’i drejtohen Ministrisë së Punëve të Brendshme për të paraqitur kallëzim përkatës. Në rastet e tjera, aty ku janë konstatuar parregullsi, Ministria e Financave ka shqiptuar urdhra kundërvajtëse ndaj katër shoqërive financiare, si dhe 26 masa-urdhra. Te një shoqëri është konstatuar mbledhje e shumës më të lartë se ajo e lejuar me ligj, për çka Ministria e Financave po ndërmerr masa sipas ligjit dhe ka mundësi të shqiptojë sanksione dhe masa kundër shoqërisë financiare. Mosmarrëveshjet eventuale mes shoqërive financiare dhe klientëve të tyre janë në kompetencë të gjykatave”, u përgjigjën nga ministria.
Kallëzime ka edhe në polici. Sipas të dhënave nga MPB, të siguruara nga njoftimet e sektorëve të punëve të brendshme, gjatë vitit 2025 në gjithë territorin e vendit janë raportuar gjithsej 12 raste të lidhura me shqetësime dhe kërcënime nga kompani të kredive të shpejta gjatë mbledhjes së borxheve.
“Në lidhje me tetë nga rastet janë përpiluar procesverbale për pranimin e kallëzimeve penale, për dy raste ku nuk ka elemente për ndjekje sipas detyrës zyrtare është përgatitur material shërbyes, një rast është realizuar si vepër penale që ndiqet me padi private, ndërsa në një rast është shqiptuar paralajmërim verbal”, u përgjigjën nga MPB për PortalX.
Ministrja e Financave, Gordana Dimitrieska-Koçoska, në një takim informues me gazetarët në Ministrinë e Financave në fund të dhjetorit 2025 (rreth 29 dhjetor), bëri të ditura detajet e kontrolleve inspektuese të zhvilluara ndaj shoqërive financiare që ofrojnë të ashtuquajtura kredi të shpejta. Kjo konferencë erdhi pas një sërë mbikëqyrjesh që zbuluan parregullsi serioze në punën e këtyre shoqërive, veçanërisht lidhur me tejkalimin e kufijve ligjorë për shpenzimet totale, interesat dhe komisionet.
Gjatë vitit 2025, sipas të dhënave të prezantuara, shoqëritë financiare të kredive të shpejta kanë lidhur gjithsej 228.880 kontrata me vlerë rreth 133 milionë euro, prej të cilave 114 milionë euro i përkasin kredive për persona fizikë. Kjo tregon përmasën e madhe të këtij tregu, por edhe seriozitetin e problemit me abuzimet.
Inspektimet kanë konstatuar se disa shoqëri sistematikisht kanë mbledhur shpenzime mbi kufijtë e lejuar – për shembull, për një kredi prej 20.000 denarësh, klientët janë detyruar të kthejnë mbi 30.000 denarë për shkak të komisioneve të fshehta, shpenzimeve administrative dhe interesave tepër të larta. Këto praktika konsiderohen formë klasike e fajdexhësisë, që çon në mbingarkim me borxhe të qytetarëve, veçanërisht të atyre me të ardhura të ulëta që kërkojnë hua urgjente.
Si rezultat i kontrolleve, ministria deri më tani ka lëshuar më shumë se 30 kallëzime kundërvajtëse, vërejtje dhe urdhra për kthim të detyrueshëm të mjeteve të mbledhura në mënyrë të paligjshme drejtpërdrejt te klientët e prekur. Gjobat për këto shkelje arrijnë deri në 10.000 euro për rast, ndërsa në situata më të rënda po shqyrtohet edhe mundësia e heqjes së licencave për punë. Deri më tani nuk ka pasur heqje licencash, pjesërisht për të mos rrezikuar të drejtat e qytetarëve tashmë të ngarkuar me borxhe, të cilët do të mbeteshin pa mundësi rifinancimi.
Ministrja Koçoska theksoi se këto masa janë pjesë e një fushate më të gjerë për forcimin e mbikëqyrjes ndaj 26 shoqërive financiare të regjistruara në vend, me qëllim parandalimin e shfrytëzimit të mëtejshëm të konsumatorëve.



