
Policia e Shqipërisë ka arrestuar në Tiranë një shtetas të Maqedonisë së Veriut që ishte në kërkim ndërkombëtar për vrasje të trefishtë në vitin 2007, dhe që prej dhjetë vitesh ishte në arrati.
Sipas njoftimit zyrtar, arrestimi është kryer në kuadër të fazës së 80-të të operacionit policor të koduar “Operacionalja”, pas disa muajsh hetime dhe kërkime nga Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale në Departamentin e Policisë Kriminale.
I arrestuari është Besim Sherifi, 52 vjeç, banues në fshatin Kopanicë, Saraj. Ai ishte kapur në zonën e Liqenit të Thatë në Tiranë, ku fshihej prej kohësh duke përdorur dokumente identifikimi të falsifikuara, në emër të një shtetasi nga Kosova.

“Nga verifikimet e thelluara rezultoi se ai ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Shkup, pasi Gjykata e Shkupit, në vitin 2007, i kishte caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprën penale “Vrasja”, për të cilën legjislacioni penal i Maqedonisë së Veriut parashikon dënim maksimal – burgim të përjetshëm. Sipas autoriteteve, ai dyshohet se më 05.10.2007, në fshatin Kopanicë të Shkupit, ka vrarë me armë zjarri tre shtetas”, shpjegon policia.
Gjatë kontrollit fizik dhe në banesë, policia i ka gjetur:
- një pasaportë kosovare,
- letërnjoftim kosovar,
- leje për vozitje të falsifikuar me emrin e një kosovari.
Për veprën penale “Falsifikimi i dokumenteve”, materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë për veprime të mëtejshme.
Ndërkohë, Interpol Tirana, në bashkëpunim me Interpol Shkupin, ka nisur procedurat për ekstradimin e 52-vjeçarit drejt Maqedonisë së Veriut.



