LokalXLajme

Maqedonia e Veriut pa ftesë në “Board of Peace” – mes shteteve të ftuara Kosova dhe Bullgaria

Maqedonia e Veriut deri në këtë moment nuk ka marrë ftesë për t’u përfshirë në Board of Peace, nismën ndërkombëtare për zgjidhjen e konflikteve që do të kryesohet nga ish-presidenti amerikan Donald Trump.

Nga Qeveria kanë konfirmuar se një ftesë e tillë nuk ka mbërritur, pavarësisht deklaratave të mëhershme se ekziston komunikim me administratën aktuale amerikane të Trump. Megjithatë, Maqedonia e Veriut nuk figuron në listën e rreth 50 shteteve të përzgjedhura për këtë iniciativë.

Ndërkohë, mes shteteve të ftuara janë edhe Kosova dhe Bullgaria, çka e bën më të dukshëm përjashtimin e Shkupit nga kjo platformë e re ndërkombëtare. Nga rajoni, ftesa kanë marrë edhe Kroacia, Shqipëria dhe Sllovenia, ndërsa Serbia nuk është në listë.

Iniciativa fillimisht ishte e fokusuar në monitorimin e armëpushimit në Gazë, por më pas është zgjeruar me ambicien për të ndërmjetësuar edhe në konflikte të tjera ndërkombëtare, duke shkaktuar reagime të ndryshme dhe qëndrime të ndara në arenën ndërkombëtare.

Sipas rregullave të përcaktuara, anëtarësimi është i kufizuar në mandat trevjeçar, përveç rasteve kur një shtet paguan një miliard dollarë amerikanë, çka do t’i siguronte status të përhershëm në Bord.

Në këtë kontekst, mungesa e një ftese për Maqedoninë e Veriut, në një nismë ku Kosova dhe Bullgaria janë pjesë e shteteve të përzgjedhura, po hap debat për pozicionimin dhe peshën diplomatike të vendit në iniciativa të reja ndërkombëtare.

Related Articles

Back to top button