
Kuvendi sot miratoi ndryshimet në përbërjen e Qeverisë, duke zgjedhur Muhamet Hoxhën ministër të Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor dhe Bekim Salin ministër për Çështje Evropiane.
Emërimet vijnë pas lëvizjeve të fundit politike të shkaktuara nga zgjedhjet lokale, me largimin e Izet Mexhitit nga Qeveria për shkak të marrjes së mandatit si kryetar i Komunës së Çairit, si dhe pas shkarkimit të Orhan Murtezanit.
Kryeministri Hristijan Mickoski, duke i paraqitur kandidatët para deputetëve, tha se bëhet fjalë për një kompletim të domosdoshëm të kabinetit qeveritar, që – sipas tij – garanton stabilitet institucional dhe vazhdimësi në resorët strategjikë. Për Hoxhën theksoi përvojën administrative në politikat e zhvillimit të qëndrueshëm, ndërsa për Salin vlerësoi se përvoja e tij politike do të shërbejë për një menaxhim më efikas të procesit të integrimit evropian.
Mazhoranca i votoi propozimet pa dilema, por në sallë nuk munguan kritikat. SDSM i cilësoi emërimet si “teatër politik”, duke akuzuar Qeverinë se po përpiqet të maskojë mungesën e rezultateve në reforma dhe ekonomi. Nga ana tjetër, Aleanca për Shqiptarët problematizoi mënyrën e largimit të Murtezanit, duke theksuar se përgjegjësia politike kërkonte dorëheqje dhe jo shkarkim.
Me këto emërime, Qeveria synon të mbyllë kapitullin e ndryshimeve paszgjedhore dhe të stabilizojë punën e kabinetit në një periudhë të ndjeshme politike dhe ekonomike.



