LokalXLajme

Gjendje krize në energji për 7 ditë, Qeveria e Maqedonisë së Veriut aktivizon rezervat e mazutit

Qeveria e Maqedonisë së Veriut ka vendosur të shpallë gjendje krize në furnizimin me energji elektrike në mbarë vendin, me kohëzgjatje 7 ditë, pas seancës së rregullt të 138-të qeveritare. Vendimi është marrë me propozim të Komitetit Drejtues për Koordinimin dhe Menaxhimin e Sistemit të Menaxhimit të Krizave.

Shkak për shpalljen e gjendjes së krizës është mungesa e furnizimit me mazut, i nevojshëm për prodhimin e energjisë elektrike dhe termike. Në këtë kontekst, Qeveria ka vendosur që rezervat shtetërore të derivatit të naftës të transferohen pa kompensim, ndërsa SHA EMV do të ketë obligim të raportojë rregullisht në Qeveri dhe në Ministrinë e Financave për sasinë e konsumuar.

Vendimi vjen pavarësisht deklaratave të mëparshme të ministres së Energjetikës, Sanja Bozhinovska, e cila dy ditë më parë siguroi se nuk ka rrezik për krizë energjetike dhe se qytetarët nuk duhet të shqetësohen. Sipas saj, shpallja e krizës është një masë teknike që i mundëson shtetit të përdorë rezervat strategjike të mazutit, derisa të tejkalohet problemi i furnizimit nga Greqia.

“Nuk do të ketë mungesë të energjisë elektrike. Vendi disponon rezerva të mjaftueshme të mazutit”, deklaroi Bozhinovska, duke sqaruar se rreth 11 mijë ton mazut nga rezervat shtetërore janë paraparë për nevojat e termocentraleve.

Ndërkohë, zhvillimet në sektorin energjetik përkojnë me rritjen e çmimit të energjisë elektrike. Komisioni Rregullator për Energjetikë ka miratuar vendim që nga 1 janari 2026 çmimi i rrymës të rritet nga 2.45 deri në 3.84 përqind, varësisht nga blloku i konsumit, ndërsa tarifa e lirë do të jetë më e shtrenjtë për 2.5 përqind.

Related Articles

Back to top button