
Një incident është regjistruar mbrëmjen e djeshme në Aeroportin Ndërkombëtar të Shkupit, ku një tifoz sllovak u arrestua për sjellje agresive gjatë dhe pas fluturimit nga Sllovakia. Dhjetë tifozë të tjerë, pjesë e të njëjtit grup, nuk u lejuan të hyjnë në territorin e vendit për arsye sigurie.
Sipas MPB-së, rreth orës 20:30, shërbimet e aeroportit dhe Qendra Rajonale për Punë Kufitare kanë raportuar se disa persona nën ndikimin e alkoolit nuk po respektonin rregullat e udhëtimit dhe po shqetësonin pasagjerët dhe ekuipazhin. Pas uljes së aeroplanit, situata ka vazhduar edhe në pistë.
Policia ka ndërhyrë menjëherë dhe ka arrestuar L.T. (38) nga Sllovakia, ndërsa grupit prej dhjetë personash të tjerë u është ndaluar hyrja në vend.
Pas dokumentimit të plotë të ngjarjes, ndaj të arrestuarit do të ngritët kallëzim përkatës, njoftojnë nga MPB.



