
Adem Çuçul, sekretari i përgjithshëm i Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit, po shfaqet si favoriti kryesor për të marrë drejtimin e institucionit, pasi ka siguruar 96,50 pikë në listën e renditjes së Komisionit për Selektim në Kuvend. Megjithëse vendimi përfundimtar ende i takon Komisionit për Zgjedhje dhe Emërime dhe më pas deputetëve, epërsia e tij në pikë praktikisht e afron me postin e kryetarit të ri.
Çuçul është jurist i diplomuar nga Shkupi dhe prej gati 19 vitesh punon në Antikorrupsion. Në dokumentet e vjetra figuron si “këshilltar për parandalimin e korrupsionit në politikë”, ndërsa në dokumentet e fundit dhe në faqen zyrtare të institucionit paraqitet si sekretar i përgjithshëm dhe personi i parë për kontakt me mediat. Karriera e tij, që ka kaluar nga një rol ekspertësh në një rol drejtues, e vendos atë si njohës të thellë të mekanizmave të brendshëm të institucionit.
Gjatë intervistës para Komisionit për Selektim, ai ka deklaruar se Antikorrupsionin e ndjen si “shtëpinë e tij” dhe se ka bashkëpunuar me pothuajse të gjithë përbërjet e Komisionit ndër vite.
Komisioni për Selektim i ka dhënë vlerësime kryesisht pozitive: përvojë të rëndësishme në parandalimin e korrupsionit dhe konfliktit të interesit, vizion të qartë dhe plan konkret për zhvillimin e institucionit, si dhe përgjigje të shkëlqyera në të gjitha pyetjet e përgjithshme dhe specifike. Me këtë ai ka tejkaluar në garë nëntë kandidatët e tjerë, mes tyre auditorin Branko Smilevski dhe profesorin Kimo Çavdar.
Në dokumentet publike dhe paraqitjet e tij, Çuçul lidhet më së shumti me politikat parandaluese, regjistrat e funksionarëve, kontrollin e pasurisë dhe idenë për të siguruar softuer të specializuar të pa- financuar ende sistematikisht nga shteti. Në bashkëpunimet ndërkombëtare, ai shfaqet si trajner në trajnime për korrupsion dhe konflikt interesi, si pjesë delegacionesh në takime me ambasadorë dhe organizata të huaja, si dhe si pritës i takimeve të punës me partnerë ndërkombëtarë.
Procedura formale vazhdon – Komisioni për Zgjedhje dhe Emërime duhet të përzgjedhë një kandidat dhe ta propozojë para Kuvendit, i cili do të marrë vendimin final. Por nëse nuk ndodh një kthesë politike, Adem Çuçull – njeriu që e quan Antikorrupsionin “shtëpinë e tij” – ka gjasa të mëdha të kalojë nga rreshti i dytë në të parin, si kryetari i ri që do të udhëheqë institucionin përgjegjës për mbrojtjen e shtetit nga korrupsioni dhe konflikti i interesit.



