
Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë ka dënuar sulmin ndaj gazetarit Furkan Saliu nga përmbaruesja Vesna Jakimovska nga Kërçova. Siç shkruan SHGM në reagimin e saj me shkrim, do të shfrytëzohen të gjitha mjetet ligjore për të kërkuar përgjegjësi penale dhe disciplinore nga përmbaruesja.
“Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë (SHGM) dënon sulmin e sotëm fizik ndaj gazetarit Furkan Saliu nga përmbaruesja nga Kërçova, Vesna Jakimovska. Kjo ngjarje skandaloze vjen pas një sërë storjesh kërkimore për përmbaruesen nga PortaliX dhe Saliu, i cili sot teksa merrte një deklaratë nga përmbaruesja u sulmua fizikisht prej saj dhe pësoi një dëmtim në dorë, ndërsa ju thye edhe një mikrofon nga pajisjet e tij të punës. Kolegu Saliu ka lajmëruar policinë në vendngjarje dhe aktualisht është duke dhënë deklaratë në stacion policor. Për këtë ngjarje është njoftuar edhe prokurori nga Kërçova”, shkruan SHGM.
Shoqata e Gazetarëve kujton se sulmi ndaj një gazetari apo punonjësi mediatik gjatë kryerjes së detyrave profesionale, është vepër penale, ndërsa Ministria e Brendshme dhe Prokuroria kanë detyrimin të veprojnë në cilësinë e tyre zyrtare.
“Kërkojmë nga MPB-ja dhe Prokuroria Publike që të bëjnë hetim të shpejtë dhe efikas duke sanksionuar sulmuesit, në këtë rast përmbaruesen Jakimovska. Për këtë rast, përveç përgjegjësisë penale, SHGM-ja do të kërkojë edhe masë disiplinore, në përputhje me kodin e etikës profesionale të përmbaruesve për heqjen e licencës për punë nga Oda e Përmbaruesve të Republikës së Maqedonisë së Veriut”, shkruan SHGM.