Shumën e di, por jo edhe destinimin e saktë të sponsorizimit të marrë nga Lotaria Shtetërore. Një përgjigje pothuajse identike dha Boban Miloshevski në emër të vajzës së tij, Mia Miloshevska, kompania e së cilës, „STARDAST“, kishte përfituar sponsorizim nga Lotaria Shtetërore vetëm dy muaj para se të përzgjidhej për organizimin e festimeve me rastin e 35-vjetorit të pavarësisë së Maqedonisë.
„E di saktë. Ato 1,85 milionë denarë janë dhënë për disa koncerte komerciale që i kemi organizuar ne. Sinqerisht, në këtë moment nuk më kujtohet se për cilat koncerte bëhet fjalë“, u përgjigj Boban Miloshevski.
Përgjigjja është pothuajse identike me atë që vajza e tij, Mia, i kishte dhënë më herët PortaliX-it në kuadër të hulumtimit për sponsorizimet dhe donacionet e Lotarisë Shtetërore – se në atë moment nuk i kujtohej se për çfarë konkretisht ishin marrë paratë dhe se duhej të kontrollonte. Përgjigjen që paralajmëroi atëherë, PortaliX nuk e ka marrë ende.
Mia Miloshevska figuron në Regjistrin Qendror si pronare dhe themeluese e kompanisë „STARDAST“, e cila për 4,9 milionë euro organizoi programin për shënimin e 35-vjetorit të pavarësisë. Megjithatë, ajo deri më tani nuk është paraqitur në asnjë konferencë për media për të folur në emër të kompanisë.
I pyetur nga PortaliX se në çfarë cilësie dhe sa kompetent e konsideron veten për të folur në emër të kompanisë së vajzës së tij, Miloshevski tha se „STARDAST“ e kishte angazhuar si krijues për realizimin e projektit.
„Unë mund të flas në emër të STARDAST sepse i kam lejuar STARDAST-it ta përdorë emrin dhe logon e Avalon International Booking. Jam angazhuar nga STARDAST si krijues për realizimin e këtij projekti“, deklaroi Miloshevski.
Përkundër faktit se Mia Miloshevska figuron si pronare e kompanisë „STARDAST“ dhe se pagesa prej 4,5 milionë eurosh për organizimin e programit është destinuar pikërisht për këtë kompani, ndërsa „Avalon“ ka vënë në dispozicion vetëm emrin e saj, Miloshevska deri më tani nuk është paraqitur publikisht në asnjërën prej konferencave për media të organizuara së bashku me përfaqësues të Qeverisë.
Edhe pse kompania e saj është bartëse e projektit milionësh, vetë Miloshevska vazhdon të qëndrojë larg syrit të publikut dhe mbetet një figurë pothuajse e panjohur për opinionin e gjerë.






