
Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve (KSHZ) në seancën e sotme ka shqyrtuar ankesat e paraqitura nga koalicionet VMRO-DPMNE dhe LSDM lidhur me procesin e votimit në komunën e Çashkës.
Ankesat e VMRO-DPMNE-së u vlerësuan si të pabaza dhe u refuzuan njëzëri nga anëtarët e KSHZ-së. Ndërkohë, përfaqësuesja e koalicionit të LSDM-së vendosi t’i tërheqë ankesat gjatë seancës.
Pas këtij vendimi, është konfirmuar përfundimisht rezultati i zgjedhjeve lokale në Çashkë. Suat Shaqiri nga Aleanca për Integrim (AKI) do të jetë kryetari i ri i komunës, duke e bërë këtë herën e parë që Çashka drejtohet nga një shqiptar.



