
Nën sloganin “Nga ëndrra në realitet, për përjetësi” sot, me disa aktivitete të organizuara nga Qeveria, shënohet Dita e Pavarësisë – 8 Shtatori. Akademia solemne do të mbahet në Filharmoninë e RMV-së , ku do të mbajë fjalim kryeministri, Hristijan Mickoski.
Me rastin e festimit, një delegacion kuvendor i udhëhequr nga nënkryetari Antonio Millososki, i përbërë nga deputetët Sergej Popov dhe Slavjanka Petrovska, do të vendosin lule para varrit të presidentit të parë të Republikës, Kiro Gligorov, ish-presidentit të Republikës, Boris Trajkovski dhe në varrin e kryeministrit të parë, Nikola Klusev.
Aktivitetet filluan mbrëmë me gjuajtje nderi artilerie me gjuajtjen e 10 togave të armatosura nga batalioni i artilerisë së Ushtrisë, në kazermën “Ilinden” në Shkup.
Në një ceremoni në Kuvend të premten iu nda edhe çmimi vjetor për vepër jetësore “8 Shtatori” volejbollistit, trajnerit dhe profesorit universitar maqedonas Joshko Milenkovski.
Përveç Milenkoskit, çmime për arritje në fushën e sportit iu ndanë edhe Hamid Bakijës, Zoran Nikolovskit, Viktor Tevçevit dhe Kiril Manevit.
Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi në pranimin që e organizoi në Dhomën Ligjdhënëse me rastin e Pavarësisë, përcolli një mesazh për unitet dhe vizion për të ardhmen e Maqedonisë së Veriut. Në fjalimin e tij, Gashi theksoi rëndësinë e kohezionit thelbësor midis qytetarëve, respektin për diversitetin dhe ndërtimin e një të ardhmeje të përbashkët pa ndarje.
Porosia kryesore që dua të përcjell në këtë përvjetor të pavarësisë është uniteti. Ne, si një shtet i ri, kemi nevojë për shumëçka, por mendoj se mbi të gjitha ne kemi nevojë për unitet. Dhe, jo për unitet uniform e sipërfaqësor, por për një unitet thelbësor, që i respekton dallimet, që i kthen ato në pasuri dhe jo në ndarje. Është përgjegjësi e secilit prej nesh të mos ushqejë përçarje, por të ndërtojë ura, të mos e përdor dallimin si mur, por si dritare për ta parë njëri-tjetrin më afër”, tha Gashi.
Kryetari i Kuvendit theksoi se pas 34 vitesh shtet “është koha që Maqedonia e Veriut të ngrihet në nivelin që meriton”.
“Ne mund të jemi një shtet i vogël për nga madhësia, por jemi të mëdhenj në mundësi, aspirata e ambicie. Ne jemi qendra e Ballkanit dhe prandaj është koha që kjo qendër të rrezatojë stabilitet, kulturë dije dhe vlera, ashtu siç ka ditur të reflektojë edhe në të kaluarën shumë të pasur për ne dhe për mbarë civilizimin njerëzor”, theksoi Gashi.
Ai shtoi se pavarësia nuk është një dhuratë, por një amanet që duhet kultivuar dhe përcjellë.
“Pavarësia nuk është dhuratë – ajo është amanet. Amanet nga e kaluara, detyrim për të tashmen dhe udhërrëfyes për të ardhmen. Ajo është amanet që kjo tokë të jetë shtëpia jonë e përbashkët, atdheu i të gjithë njerëzve të saj pa ndarje, pa përjashtime. Është amanet që dallimet të mos na ndajnë, por të na afrojnë, të na pasurojnë dhe të na bëjnë më të fortë. Ky amanet na bashkon sot dhe do të na prijë edhe nesër drejt lirisë më të madhe, drejtësisë dhe drejt një të ardhmeje të përbashkët, ku secili do të ndihet zot në atdheun e vet”, tha Gashi në Kuvend me rastin e 8 shtatorit – Ditës së Pavarësisë.
Para 33 viteve, mbi 95 për qind e qytetarëve votuan për një shtet të pavarur dhe sovran në referendum. Më parë, më 25 janar 1991, në Kuvendin e parë shumëpartiak të Maqedonisë u miratua Deklarata e Pavarësisë, ndërsa dy ditë më vonë deputetët zgjodhën Kiro Gligorovin si president të parë të Republikës së Maqedonisë së pavarur dhe sovrane. Hapa të rëndësishëm për krijimin e shtetësisë ishin miratimi i Kushtetutës së re më 17 nëntor 1991, pavarësia monetare dhe vendosja e denarit më 26 prill të vitit 1992 dhe formimi i forcave të veta të armatosura. Subjektiviteti juridik ndërkombëtar i shtetit u konfirmua përfundimisht më 8 prill 1993, kur me aklamacion në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara u pranua si anëtari i 181-të me të drejta të plota i Organizatës Botërore. Për shkak të kundërshtimit dhe presionit të Greqisë, e cila nuk e pranoi emrin kushtetues të Republikës së Maqedonisë, anëtarësimi në OKB ishte nën referencën e përkohshme: Ish Republika Jugosllave e Maqedonisë.
Përgjatë 33 viteve të ekzistencës së pavarur, shteti kaloi një sërë problemesh dhe vështirësish. Inflacioni treshifror në fillim të viteve ’90, embargoja greke, kriza e refugjatëve në Kosovë dhe konflikti i vitit 2001 ishin sfida dhe kërcënime reale për shtetin e ri maqedonas që ia ngadalësuan rrugën.
Mosmarrëveshja me Greqinë për emrin, pas shumë vitesh bisedime nën kujdesin e Kombeve të Bashkuara, u zgjidh përfundimisht më 17 qershor të viit 2018 në Prespë me nënshkrimin e një marrëveshjeje mes dy vendeve. Me këtë u hap rruga e vendit drejt NATO-s dhe BE-së. Më 27 mars të vitit 2020, Maqedonia e Veriut u bë anëtarja e 30-të e NATO-s. Si vend kandidat për anëtarësim në BE prej 18 vitesh, me rekomandimin e parë për fillimin e negociatave në vitin 2009, vendi tani përballet me një bllokadë nga Bullgaria./MIA



