
Shqiptari nga Çegrani, i shkolluar në Maqedoni, sot udhëheq nga afër ndjekjen dhe planifikimin e një prej misioneve më të rëndësishme hapësinore të NASA-s
Kush thotë se ëndrrat kanë kufij?
Edhe pse kjo ëndërr filloi në një shtet ku anijet kozmike i kemi parë në filma të zhanrit fantastiko-shkencor, Albon Rexhepi nga Çegrani arriti ta bëjë realitet.
“E kam kryer shkollimin në Maqedoni. Shkollën e lartë në Universitetin e Evropës Juglindore, në qytetin e Tetovës. Pasi e kreva shkollimin e lartë, erdha në Amerikë për të bërë karrierë, për të vazhduar me punë.
Fillimisht kam punuar për Pfizer, gati një vit. Pastaj, në vitin 2023, e mora rolin si drejtor, si udhëheqës i kompanisë Dewetron Inc”, deklaroi Albon Rexhepi – Dewetron.
Dhe më pas vjen bashkëpunimi me NASA-n… Udhëtimi më i largët nga Toka i një anijeje kozmike me ekuipazh. Roli i Albonit dhe kompanisë së tij? Ta planifikojë dhe ta ndjekë në mënyrë precize udhëtimin e Artemis II.
“Për Artemis II ne punojmë katër vjet. Ata i kanë përdorur produktet tona për t’i bërë testimet e sakta se çfarë rrugëtimi do të marrë dhe saktësisht ku do të kthehen. Ata duhet të kthehen në Oqeanin Paqësor, afër Kalifornisë”, deklaroi shqiptari nga Maqedonia e Veriut, Albon Rexhepi – Dewetron.
Si arrin një shqiptar që ka lindur në Çegran, është shkolluar në Maqedoni, që për një periudhë 7-vjeçare të marrë rol udhëheqës në një kompani që punon me NASA-n?
E thjeshtë, në Amerikë background-i etnik ka pak rëndësi.
“Shteti luan rol kryesor për popullin e vet. Shembull këtu në Amerikë, nuk e marrin shumë parasysh se çfarë nacionaliteti je, prej cilit shtet je dhe prej ku ke lindur etj. Këtu në Amerikë ekziston një moto: Puno, mëso dhe mund t’ia dalësh. Fatkeqësisht, kjo nuk është kështu në të gjitha shtetet e tjera”, deklaroi Rexhepi.
Alboni me ekipin e tij po e ndjekin kthimin e Artemis II drejt Tokës. E planet janë më të mëdha.
Dhe e fundit… Artemis III? Planifikoni sërish të aplikoni që ta ndihmoni, apo ndoshta keni tanimë kontratë?
“Ne planifikojmë që të marrim pjesë me Artemis III, IV, V, por nuk mund të ofroj më shumë informata se kaq”, deklaroi Rexhepi.
Hapi i radhës, të shkelim në Hënë… Një hap i vogël për Albonin, i madh për shqiptarët e Maqedonisë.PortaliX



