LokalXLajme

Fëmijët tek “Bambi” rrezikojnë të mbesin pa çerdhe, punëtorët 6 muaj pa paga

Kriza në çerdhen “Bambi” po thellohet dita-ditës, ndërsa mbi 250 fëmijë rrezikojnë të mbesin pa përkujdesje për shkak të mungesës së pagave për punonjësit tashmë për më shumë se gjashtë muaj.

Sipas informacioneve të siguruara nga Portalix, një numër i madh i stafit ka paralajmëruar dorëheqje, ndërsa disa prej tyre tashmë janë larguar. Nëse kjo valë vazhdon, institucioni mund të mbetet pa kapacitet për të funksionuar normalisht.

Ndërkohë, përgjegjësia për situatën po hidhet nga një institucion te tjetri. Nga komuna janë drejtuar te drejtoresha, por ajo nuk është përgjigjur, ndërsa ministri ka kërkuar që përgjigjet të kërkohen sërish nga komuna. Përkundër tentativave për kontakt, deri më tani nuk ka asnjë sqarim se ku kanë përfunduar pagat e punonjësve.

Burime brenda institucionit thonë se në periudhën e kaluar janë bërë më shumë punësime sesa nevoja reale, duke ngritur dyshime për motive të lidhura me fushata dhe zgjedhje. Tani, sipas tyre, pasojat po i bartin vetë punonjësit – duke mbetur pa paga dhe duke u detyruar të largohen.

Edhe pse objekti ofron kushte të mira dhe stafi vlerësohet si profesional, kjo nuk ka mjaftuar për të shmangur krizën. Në një rast janë dhënë vetëm pagesa simbolike prej 5.000 deri në 6.000 denarë, ndërsa pjesa tjetër e pagave mbetet e paqartë.

Punonjësit që kujdesen për fëmijët, sipas reagimeve, paguhen rreth 15.000 denarë – një shumë që konsiderohet e ulët, e aq më tepër e papranueshme kur nuk paguhet fare për muaj të tërë.

Në mungesë të një reagimi institucional dhe zgjidhjeje konkrete, mbetet e paqartë se si do të zhvillohet situata në ditët në vijim – ndërsa më të rrezikuarit mbeten fëmijët dhe familjet e tyre.

Related Articles

Back to top button