LokalXLajme

Ndjekje si në filma aksion në Haraçinë, policia hap zjarr në zonë të banuar

Momente paniku dhe tensioni janë regjistruar në Haraçinë gjatë një ndjekjeje policore që përfundoi me të shtëna me armë zjarri në mes të zonës së banuar. Banorët thonë se ngjarja ka shkaktuar frikë te qytetarët, ndërsa disa persona kanë përfunduar edhe në gjendje të rënduar emocionale, raporton PortaliX.

Sipas dëshmitarëve, njësia policore Alfa ka ndjekur një kamion nëpër rrugët e fshatit, ndërsa më pas janë dëgjuar të shtëna me armë automatike.

“Ka ndodhur një rast këtu, me njësinë Alfa duke e ndjekur kamionin. Kanë gjuajtur me armë dhe i kanë trishtuar fëmijët. Ka edhe gra shtatzëna. Ja, edhe ndihma e shpejtë ka ardhur”, deklaroi një banor.

Një tjetër qytetar tha se familjarët e tij kanë përjetuar shok nga ngjarja.

“Nënën edhe bashkëshorten… Shkaku që erdhi një kamion, kjo veturë ishte pas tij dhe pastaj gjuajtën me kallash.”

“Asaj i ra të fikët, me ujë ia sollëm vetëdijen”, tha ai.

PortaliX bisedoi edhe me policët që kanë marrë pjesë në aksion. Sipas tyre, përdorimi i armëve ka ardhur pasi jeta e tyre ka qenë e rrezikuar, duke pretenduar se nga kamioni janë hedhur goma dhe dru në drejtim të policisë.

Megjithatë, banorët e Haraçinës e kundërshtojnë këtë version. Ata thonë se kamioni ka ardhur nga mali dhe është dashur të ndalohej para se të hynte në zonë të banuar.

Pikërisht kjo ka ngritur revoltën e qytetarëve, të cilët pyesin pse policia priti që ndjekja të vazhdonte mes shtëpive dhe qytetarëve, përpara se të përdorte armët.

Reagime ka pasur edhe për mënyrën si është zhvilluar aksioni. Banorët thonë se vetura e policisë nuk ka pasur shenja identifikuese dhe se policët nuk kanë qenë me uniforma.

Pamjet nga vendi i ngjarjes tregojnë policë me kallashë në duar në mes të rrugës, duke krijuar, sipas qytetarëve, përshtypjen e një përplasjeje mes bandave e jo të një aksioni zyrtar policor.

“Sirena dëgjohet, por sirenë mund të blejë kushdo në pazar”, shprehen banorët, duke shtuar se në situata të tilla është e vështirë të kuptohet nëse bëhet fjalë për polici apo persona të armatosur civilë.

Qytetarët kërkojnë sqarime nga institucionet për mënyrën e realizimit të aksionit, përdorimin e armëve në zonë të banuar dhe mungesën e identifikimit të qartë të policëve që morën pjesë në ndjekje, raporton PortaliX.

Related Articles

Back to top button