Uncategorized @sq

Vase Anakiev vendosi për tokën shtetërore që iu dha vëllait të tij, Dimovski thotë se nuk e dinte lidhjen familjare

I arrestuari së fundmi, drejtori i Drejtoratit Shtetëror për Inspektorat Bujqësor, Vase Anakiev, i dyshuar për marrje ryshfeti, para 14 vitesh, si anëtar i një Komisioni pranë Ministrisë së Bujqësisë, ka marrë pjesë në ndarjen me qira të tokës shtetërore për vëllain e tij Dejan, zbulon PortalX.

Bëhet fjalë për kompaninë “Obleshevka”, në pronësi të Dejan Anakievit, e cila kishte marrë me qira gjashtë hektarë tokë me një kompensim vjetor prej 187.200 denarësh.

Rasti daton nga prilli i vitit 2012, kur Vase Anakiev ishte pjesë e Komisionit që merrte vendime për ndarjen e tokës shtetërore në Koçan.

Mbi kontratën kanë vënë nënshkrim Lupço Dimovski si ministër i atëhershëm i Bujqësisë dhe Dejan Anakiev si udhëheqës i “Obleshevka”. Në kontratë figuron edhe nënshkrimi i Vase Anakievit, si anëtar i Komisionit, i cili nuk ishte përjashtuar fare nga lënda gjatë vendimmarrjes për vëllain e tij.

PortalX ka kërkuar përgjigje nga Lupço Dimovski, atëherë ministër i Bujqësisë, ndërsa tani zëvendëskryeministër në Qeverinë e Maqedonisë së Veriut dhe kryetar i Partisë Socialiste.

Në përgjigjen e dorëzuar, ai thotë se kompania e Dejan Anakievit kishte ofertën më të mirë, pas së cilës ishte lidhur kontrata për qira në korrik të vitit 2012, me kohëzgjatje 15-vjeçare për kultivimin e drithërave. Por, në prill të vitit 2018, për shkak të mosrespektimit të detyrimeve kontraktuese, kontrata ishte ndërprerë dhe toka tashmë ka një qiramarrës të ri.

Ai thekson se me familjen Anakievi në vitin 2012 nuk kishte pasur asnjë marrëdhënie personale, politike apo zyrtare. Në atë periudhë kohore, sipas tij, Vase Anakiev nuk kishte qenë anëtar i Partisë Socialiste, por ishte anëtarësuar më vonë. Dimovski po ashtu pretendon se nuk kishte dijeni për lidhjen familjare mes Vase dhe Dejan Anakievit.

Megjithatë, lidhur me çështjen e konfliktit të interesit, Dimovski jep përgjigje kontradiktore.

Së pari, ai thotë se Vase Anakiev ka punuar si nëpunës shtetëror dhe ka qenë në detyrë pune brenda kompetencave të tij dhe, si pjesë e Komisionit pesëanëtarësh, nuk ka ndërmarrë asnjë veprim që bie ndesh me ligjet.

Më pas, Dimovski paraqet skenarë kushtorë, duke thënë se nëse do të kishte ekzistuar çfarëdo keqpërdorimi, ai do të ishte konstatuar moti dhe se “përgjegjësia eventuale do t’u takonte komisioneve”. Kjo nënkupton se, në rast të ndonjë konflikti eventual interesi, faji bie mbi anëtarët e komisionit, përfshirë Vase Anakievin, dhe mbi shërbimet profesionale, por jo edhe mbi të si ministër dhe nënshkrues i fundit i kontratës.

“Nuk është as e mundur dhe as e paraparë me ligj që ministri, si bartës politik i funksionit, të kontrollojë lidhje të mundshme farefisnore ose private ndërmjet pjesëmarrësve në procedurë. Kjo detyrë është në kompetencë të shërbimeve profesionale dhe anëtarëve të komisioneve që e zbatojnë drejtpërdrejt procedurën dhe që janë të obliguar të paraqesin dhe shmangin çdo konflikt të mundshëm interesi”, thotë Dimovski.

Dejan Anakiev, vëllai i ish-drejtorit të paraburgosur Vase, i cili aktualisht është ushtrues detyre drejtor i Ndërmarrjes Komunale “Vodovod” në Koçan si kuadër i Partisë Socialiste, nuk iu përgjigj pyetjeve të PortalX lidhur me rastin.

Related Articles

Back to top button