
Pas publikimit të PortalX për incidentin në Klinikën e Kardiologjisë në Shkup, Petar Bogojevski ka reaguar me një demant publik, duke i mohuar pretendimet dhe duke paralajmëruar procedura ligjore.
Në reagimin e tij, ai thekson se “në mënyrë të prerë, të plotë dhe pa asnjë mëdyshje i mohon pretendimet e paraqitura si të pavërteta, tendencioze dhe dashakeqe”, duke shtuar se tashmë janë nisur disa procedura.
Ai konfirmon se ka nisur edhe procedurë civile, duke deklaruar: “procedurë civile për shpifje dhe fyerje kundër personit Furkan Saliu”.
Në të njëjtin reagim, Bogojevski njofton edhe për ankesë në Këshillin për Etikë në Media, si dhe për kallëzime penale dhe procedura disiplinore ndaj personelit mjekësor në Klinikën e Kardiologjisë, për disa vepra të dyshuara që lidhen me trajtimin e një pacienti.
Ai gjithashtu deklaron se gjendja shëndetësore e nënës së tij është përkeqësuar dhe se ajo është e shtruar në një institucion tjetër shëndetësor.
Bogojevski u bën thirrje mediave që të publikojnë demantin dhe të përmbahen nga, siç thotë ai, shpërndarja e “pretendimeve të pavërteta dhe të dëmshme”.
PortalX, para publikimit të lajmit, ka tentuar të marrë qëndrim nga Bogojevski, por ai nuk i është përgjigjur redaksisë.



