BotëXLajme

MPJ me apel për kujdes të qytetarëve të RMV që janë në Izrael, në vrullin e përplasjes ushtarake me Iranin

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme u ka bërë thirrje të gjithë shtetasve të Maqedonisë së Veriut që ndodhen në Izrael të ndjekin me kujdes portalet zyrtare kombëtare për raste emergjente dhe të veprojnë në përputhje të plotë me udhëzimet e institucioneve kompetente, pas përkeqësimit të situatës së sigurisë në vend dhe rajon.

“Njëkohësisht, u bëjmë apel të gjithë shtetasve tanë të përmbahen nga udhëtimet drejt vendeve të këtij rajoni deri në stabilizimin e gjendjes së sigurisë”, thuhet në njoftimin e publikuar në faqen zyrtare në Facebook të Ministrisë.

Sipas informacioneve të marra nga Ambasada e Republikës së Maqedonisë së Veriut në Tel Aviv, hapësira ajrore mbi Izrael është mbyllur për fluturime civile deri në njoftim të mëtejmë. Të gjitha fluturimet komerciale hyrëse dhe dalëse janë pezulluar, pa ndonjë afat konkret për rifillimin e trafikut të rregullt ajror, përfshirë edhe fluturimet nga dhe drejt Aeroporti Ndërkombëtar Ben Gurion.

MPJ i rikujton qytetarët se në rast nevoje për ndihmë mund t’i drejtohen Ambasadës në Tel Aviv në numrat +972 54 500 8566 dhe +972 54 967 0546, si dhe në emailin [email protected]. Gjithashtu, në dispozicion janë edhe linjat e Ministrisë në Shkup: +389 75 273 732 dhe +389 75 268 736, si dhe emaili [email protected]. Ministria thekson se përmes përfaqësisë diplomatiko-konsullore në Tel Aviv po e ndjek vazhdimisht situatën dhe do ta informojë publikun për çdo zhvillim të ri.

Pas përkeqësimit të gjendjes së sigurisë, njoftim të veçantë publikoi edhe Ambasada në Izrael, duke u bërë thirrje qytetarëve maqedonas që ndodhen atje të respektojnë rreptësisht udhëzimet e Komandës së Frontit të Brendshëm. Qytetarëve u rekomandohet të qëndrojnë në ose pranë hapësirave të mbrojtura si strehimore apo dhoma të sigurta, të sigurohen që e dinë vendndodhjen e strehimores më të afërt, të mbajnë pranë furnizime bazë si ujë, ushqim, barna, çantë të ndihmës së parë, elektrik dore dhe telefona të mbushur, si dhe të ndjekin përditësimet zyrtare në kohë reale përmes faqes zyrtare të autoriteteve izraelite dhe mediave lokale.

Ambasada u bën thirrje qytetarëve që, sapo të marrin njoftim për alarm, të futen menjëherë në hapësirat e mbrojtura dhe të qëndrojnë aty derisa autoritetet të konfirmojnë se është e sigurt të dalin. Për ata që planifikojnë të udhëtojnë drejt ose të largohen nga Izraeli, theksohet se fluturimet janë aktualisht të anuluara deri në njoftim të mëtejmë dhe rekomandohet ndjekja e vazhdueshme e njoftimeve nga aviokompanitë dhe organet kompetente. Ambasada njofton se do të vazhdojë ta monitorojë nga afër situatën dhe do të ofrojë informacione shtesë sipas nevojës.

Related Articles

Back to top button