LokalXLajme

Arrestohet në “Bllacë” Artan Grubi

Artan Grubi, ish-zëvendëskryeministër i Maqedonisë së Veriut, është arrestuar mëngjesin e sotëm në pikën kufitare Bllacë, në orën 06:10 pasi raportohet të jetë vetëdorëzuar.

Grubi ishte në kërkim me fletarrestim ndërkombëtar që nga 17 dhjetori 2024, pasi Prokuroria Themelore Publike kishte hapur hetim për përvetësim të 8,2 milionë eurove në “Lotarinë Shtetërore”.

Gjykata Themelore Penale në Shkup kishte caktuar paraburgim 30-ditor për të dhe për të dyshuarin tjetër, , ish drejtorin e “Lotarisë” Përparim Bajrami që është ende në arrati.

Grubi akuzohet për veprën penale “Përvetësim në shërbim” nga neni 354 i Kodit Penal. Sipas Prokurorisë, ekzistojnë dyshime të bazuara se ai, së bashku me drejtorin e ndërmarrjes dhe gjashtë persona të tjerë, ka marrë pjesë në procedura të kundërligjshme furnizimi publik që kanë shkaktuar dëm financiar prej 8,2 milionë eurosh.

Hetimet lidhen me vendimin për blerjen e terminaleve të videolotarie (VLT), me vlerë prej 501.319.119 denarësh. Prokuroria thekson se “Lotaria Shtetërore” nuk ka pasur të drejtë ligjore të organizojë në mënyrë të pavarur lojëra elektronike të fatit, pasi që nga viti 2013 këtë të drejtë e kishte transferuar si kontribut jomaterial në shoqërinë “Kazinos Austria” DOO Shkup, duke zotëruar 51% të kapitalit themelor.

Sipas akuzës, më 6 qershor 2023, Grubi si zëvendëskryeministër ka kryesuar mbledhjen e Qeverisë në cilësinë e Kuvendit të Aksionarëve dhe ka miratuar informacionin për nisjen e procedurave, ndonëse organi nuk kishte kompetencë për vendimmarrje për një marrëveshje të tillë. Më pas janë realizuar prokurimet dhe janë lidhur kontrata për furnizimin me terminale, të cilat sipas Prokurorisë asnjëherë nuk janë vënë në funksion.

Më 9 dhjetor 2024, Grubi dhe gjyqtari Enver Bexheti u përfshinë në listën e zezë të Departamentit Amerikan të Shtetit për shkak të dyshimeve për përfshirje në korrupsion.

Pas arrestimit të sotëm në Bllacë, ish-zëvendëskryeministri pritet të nxirret para gjykatës paraprake, e cila do të vendosë për masën e sigurisë ndaj tij.PortaliX

Related Articles

Back to top button