LokalXLajme

Pushteti kërkon vazhdimin urgjent të afatit për legalizimin e ndërtimeve pa leje

Një grup deputetësh nga shumica qeverisëse, të udhëhequr kryesisht nga VMRO-DPMNE, përfshirë nga një përfaqësues i partnerëve të koalicionit VLEN dhe ZNAM, kanë dorëzuar në Kuvend propozim-ndryshime në Ligjin për trajtimin e objekteve të ndërtuara pa leje, me procedurë të shkurtuar. Kërkesa për vazhdimin e afatit edhe për pesë vite të tjera, deri në mars të vitit 2031, është iniciuar nga Komuna e Manastirit dhe ka mbështetje edhe nga komuna të tjera.

Autoritetet lokale e kanë dërguar iniciativën në BNJVL(ZELS) – Bashkimin e Njësive të Vetëqeverisjes Lokale, që përfaqëson të gjitha 80 komunat dhe Qytetin e Shkupit. Komuna e Resnjës, për shembull, ka njoftuar se do ta intensifikojë procesin e legalizimit, duke paralajmëruar qytetarët se afati ligjor skadon më 4 mars të këtij viti dhe se kërkesat e pakompletuara duhet të plotësohen me dokumentacionin përkatës.

Më 3 shkurt 2026, Bordi Drejtues i BNJVL-së i ka dërguar Kuvendit, Qeverisë dhe Ministrisë së Transportit kërkesë zyrtare për vazhdimin e afatit deri në vitin 2031. Në arsyetim thuhet se shumë procedura kanë mbetur të papërfunduara për shkak të kontesteve gjyqësore, çështjeve pronësore, trashëgimore dhe pengesave të tjera të paparashikuara. Theksohet se vazhdimi i afatit nuk do të mundësojë paraqitjen e kërkesave të reja, por vetëm përfundimin e atyre që janë në procedurë.

Deputetët në arsyetim theksojnë se ligji duhet të hyjë në fuqi menjëherë pas publikimit në “Gazetën Zyrtare”, pasi afati aktual përfundon më 3 mars 2026. Sipas tyre, ndryshimet nuk sjellin risi thelbësore, por vetëm u japin mundësi komunave të përfundojnë procedurat që kanë zgjatur tashmë 15 vite, edhe pse afati është shtyrë dy herë më parë.

Ligji për legalizimin e ndërtimeve pa leje u miratua në vitin 2011 nga qeveria e Nikolla Gruevskit, duke paraparë legalizim me një euro për metër katror dhe afat deri në mars 2021. Procesi nuk u përmbyll, ndërsa më pas afati u zgjat deri në mars 2026, me ndryshime që lehtësuan legalizimin dhe pezulluan procedurat civile e penale për disa raste. Këto ndryshime u shoqëruan me kritika të ashpra nga ekspertë dhe organizata joqeveritare, të cilët vlerësuan se vazhdimi i afateve dëshmon mosfunksionimin institucional dhe ka inkurajuar ndërtimet pa leje.

Sipas të dhënave të fundit nga viti 2025, në vend ka mbi 200.000 objekte të ndërtuara pa leje. Nëse ndryshimet miratohen, procesi i legalizimit do të zgjasë plot 20 vite, me synimin që të përfundojë deri në vitin 2031.PortaliX

Related Articles

Back to top button