
Prokuroria Themelore Publike ka reaguar zyrtarisht për aksionet e fundit të policisë, gjatë të cilave janë sekuestruar rreth 40 ton marihuanë nga firma dhe kompani të licencuara për kultivimin e kanabisit për qëllime mjekësore në vend.
Sipas Prokurorisë, bëhet fjalë për një operacion të gjerë dhe të koordinuar, ku në terren kanë vepruar strukturat e Ministria e Punëve të Brendshme, ndërsa hetimet po zhvillohen paralelisht në disa drejtime.
Në njoftimin zyrtar thuhet se Prokuroria po bashkëpunon ngushtë edhe me Komisionin për Miratimin e Kultivimit të Kanabisit për Qëllime Mjekësore, i cili funksionon në kuadër të Ministria e Shëndetësisë, për të verifikuar se si kanabisi i prodhuar me licencë ka përfunduar jashtë kanaleve të lejuara.
Hetimet po udhëhiqen në koordinim të vazhdueshëm me Prokuroria Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, si dhe me prokurori të tjera me kompetencë territoriale, të cilat po trajtojnë veprat penale që lidhen me prodhimin, ruajtjen dhe shpërndarjen e paligjshme të drogave narkotike.
Një element kyç i hetimit është edhe dimensioni ndërkombëtar i rastit. Prokuroria konfirmon se është në komunikim të drejtpërdrejtë me Prokuroria Themelore Publike e Republikës së Serbisë, për të shkëmbyer informacione që mund të ndihmojnë në zbardhjen e lidhjes mes sekuestrimeve të realizuara në Serbi dhe kanabisit që dyshohet se ka origjinë nga Maqedonia e Veriut.
Në të njëjtën kohë, nga Prokuroria Publike e Republikës së Maqedonisë bëhet e ditur se po ndërmerren edhe veprime të tjera hetimore: po merren në pyetje persona përgjegjës në kompani, punonjës dhe dëshmitarë të tjerë, me qëllim mbledhjen e provave konkrete dhe sqarimin e rrugës që ka ndjekur droga – nga prodhimi deri te destinacioni final.
Ky dhe aksione të shumta policore të periudhës së kaluar që kanë rezultuar me keqpërdorime të panumërta të marihuanës, kanë nxjerrë në sipërfaqe debatin nëse kompanitë vërtetë po kultivojnë kanabisin për qëllime mjekësore.
Kostot dhe rregullat për të operuar si biznes i kësaj fushe në RMV janë shumë të larta dhe të rënda, ndërsa rruga më e shpejtë dhe e lehtë është shitja e bimës së thatë në tregun ilegal që sjell përfitime të menjëhershme dhe këtë rrugë e kanë ndjekur plot biznese. Ende nuk është bërë as një analizë e mirëfilltë edhe se sa ka përfituar buxheti i shtetit nga veprimi i tyre kompanive prej vitit 2017 e këtej, kur edhe 14 nga gjithsej 61 kompanive u janë marrë licencat, ndërsa 4 të tjera janë në proces të revokimit.PortaliX



