LokalXLajme

Parlamenti miratoi “Safe City” – nga 1 shkurti nisin gjobat

Sot, Parlamenti me 81 vota “për” dhe 19 “kundër” miratoi ndryshimet në Ligjin për kundërvajtje me procedurë të shkurtuar, duke i hapur rrugë fillimit zyrtar të sistemit “Safe City”. Ky sistem i automatizuar për regjistrimin dhe dënimin e shkeljeve në trafik do të fillojë të funksionojë nga 1 shkurt.

Votimi u krye nominalisht, pas kërkesës së koordinatores së “Frontit Evropian”, Rina Ajdari, që do të thotë se secili deputet votoi veçmas. Për miratimin e ligjit ishte e nevojshme dy të tretat e votave, por pavarësisht kësaj, deputetët e LSDM-së dhe DUİ-së nuk e mbështetën ndryshimin ligjor.

Në fazën e parë, sistemi “Safe City” do të regjistrojë katër kategori shkeljesh: tejkalim të shpejtësisë, kalim në semafor me dritë të kuqe, skadim të lejes së qarkullimit dhe ndalim ose parkim të gabuar. Pas regjistrimit të shkeljes, pronari i automjetit do të marrë SMS dhe email me link për të shkarkuar procesverbalin dhe urdhër-pagesën. Pagesa mund të bëhet online, dhe nëse bëhet brenda afatit, nuk do të ketë kosto shtesë.

Në fazën e ardhshme parashikohet zgjerimi i listës së shkeljeve që do të monitorohen automatikisht, ndërsa autoritetet thonë se ky sistem do të ndihmojë në parandalimin dhe uljen e aksidenteve në trafik. Për shkeljet që përfshijnë ndalim të drejtimit, Ministria e Brendshme do të dërgojë kërkesë në gjykatë për fillimin e procedurës.

Qytetarët do të mund të paguajnë gjysmën e gjobës nëse e bëjnë brenda 8 ditëve nga marrja e njoftimit. Pagesa mund të bëhet në bankë, në stacionin policor më të afërt, përmes aplikacioneve bankare, si dhe përmes aplikacionit të ri të MPB-së, me mekanizma të forcuar sigurie.

Related Articles

Back to top button