LokalXLajme

Deri në 2035, të gjitha akuzat ndaj Gruevskit mund të bien

Me kalimin e viteve, ndryshimet ligjore dhe afatet e vjetërsimit po e zvogëlojnë ndjeshëm numrin e procedimeve penale ndaj ish-kryeministrit Nikolla Gruevski. Sipas kornizës aktuale ligjore, ekziston mundësia reale që deri në vitin 2035 të mos mbetet asnjë akuzë penale aktive ndaj tij.

Rasti më i fundit që ka pushuar për shkak të vjetërsimit është një pjesë e lëndës “Talir”, e cila lidhej me financimin e paligjshëm të VMRO-DPMNE-së. Për këtë pjesë, ndjekja penale është ndërprerë përfundimisht, pasi ka kaluar afati i paraparë me ligj.

Megjithatë, procedimi për pjesën tjetër të “Talir”, konkretisht “Talir 1”, që ka të bëjë me larje parash, vazhdon. Kjo vepër penale ka afatin më të gjatë të vjetërsimit dhe, sipas dispozitave aktuale, mund të ndiqet deri në vitin 2035. Ky është edhe rasti i fundit me afat maksimal ligjor që aktualisht e rëndon Gruevskin.

Ndryshe nga “Talir 1”, rastet e tjera aktive kanë afate dukshëm më të shkurtra vjetërsimi. Lënda “Titanik”, e cila lidhet me keqpërdorimin e fondeve zgjedhore dhe cenimin e së drejtës së votës, nuk ka afat vjetërsimi që shkon deri në vitin 2035 dhe, nëse procesi nuk përmbyllet me vendim gjyqësor, ekziston mundësia që edhe kjo çështje të mbyllet më herët.

E njëjta vlen edhe për “Talir 2”, ku afati i vjetërsimit varet nga kualifikimi konkret penal dhe nuk arrin nivelin e veprave më të rënda financiare.

Ndërkohë, disa nga rastet më të bujshme ndaj Gruevskit tashmë janë mbyllur për shkak të vjetërsimit, mes tyre:

“TNT”

“Trajektorja”

“Shkupi 2014”

“Feniks”

Hetimi për ngjarjet e dhunshme në Kuvend më 27 prill 2017 mbetet i pezulluar për shkak të mungesës së të akuzuarit, ndërsa procedimi nuk po zhvillohet në mënyrë aktive.

Nëse proceset aktuale nuk përfundojnë me vendime përfundimtare dhe nëse nuk ka ndryshime të reja ligjore, skenari juridik është i qartë: rastet me afate më të shkurtra mund të bien përpara vitit 2035, ndërsa me mbylljen eventuale të “Talir 1”, Gruevski mund të mbetet pa asnjë procedim penal aktiv.PortaliX

Related Articles

Back to top button