Qendra për Punë Sociale demanton Portalix-in, Veselinovska mohon se shkeljet janë bërë gjatë mandatit të saj

Qendra për Punë Sociale ka reaguar me demant ndaj shkrimit të publikuar nga portali Portalix më 12 janar 2026, duke theksuar se pretendimet për shkelje ligjore janë të pasakta dhe nuk pasqyrojnë gjendjen aktuale.
Në reagim, drejtoresha e Qendrës për Punë Sociale, Magdalena Veselinovska, demanton se shkeljet e përmendura janë kryer gjatë mandatit të saj, duke sqaruar se parregullsitë e konstatuara nga inspektimi janë eliminuar brenda afatit të përcaktuar.
“Parregullsitë e konstatuara të përmendura në procesverbalin e publikuar nga ana juaj, i përpiluar nga Sektori për Mbikëqyrje Inspektuese në fushën e mbrojtjes sociale dhe mbrojtjes së fëmijëve pranë Ministrisë së Politikës Sociale, Demografisë dhe të Rinjve, për të cilat ishte caktuar afat për eliminim – janë eliminuar.”
Më tej, në demant sqarohet se rastet konkrete që kanë qenë objekt i inspektimit i përkasin një periudhe të mëhershme dhe nuk lidhen me ushtrimin aktual të funksionit nga ana e saj.
“Lëndët konkrete që kanë qenë objekt i inspektimit i përkasin periudhës para se unë t’ia heq kompetencat ish-udhëheqësit A.H., i cili ishte përgjegjës për këto lëndë.”
Drejtoresha Veselinovska thekson se edhe gjatë kontrollit të fundit inspektues është konstatuar se nuk ka parregullsi aktive, ndërsa në shkrimin e Portalix-it janë përdorur dokumente dhe të dhëna të vjetruara.
“Gjatë kontrollit të fundit inspektues nga Sektori për Mbikëqyrje Inspektuese në fushën e mbrojtjes sociale dhe mbrojtjes së fëmijëve pranë Ministrisë së Politikës Sociale, Demografisë dhe të Rinjve, i realizuar më 23.12.2025, është konstatuar se parregullsitë janë eliminuar, ndërsa ju në tekst përmendni procesverbale të vjetra dhe gjendje faktike të vjetruara që nuk përputhen me gjendjen aktuale.”
Nga Qendra për Punë Sociale theksojnë se për raste të tjera që nuk kanë të bëjnë me këtë periudhë, institucionet kompetente tashmë kanë ndërmarrë veprime ligjore, duke përfshirë edhe kallëzime penale.




